Gjatë mbledhjes së Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, kryetarja Ina Zhupa ngriti shqetësimin për gjendjen e Bibliotekës Kombëtare dhe mënyrën se si po trajtohen pajisjet dhe shërbimet e saj digjitale.
Sipas Zhupës, serverët e dhuruar nga Bashkimi Europian përmes programit UNOPS janë marrë nga AKSHI, por nuk janë aktivizuar për nevojat e Bibliotekës Kombëtare.
Të lidhura
None found
Ajo deklaroi gjithashtu se sistemi ALIS, i cili u mundëson qytetarëve aksesin digjital në shërbimet dhe pasurinë e Bibliotekës Kombëtare, ka mbetur pa rinovim kontrate ose pa një kontratë të re. Kjo situatë, sipas saj, ka krijuar një ngërç të zgjatur në funksionimin e shërbimeve online të institucionit.
Zhupa akuzoi AKSHI-n se është përfshirë në afera korruptive dhe se ka zbatuar porositë e “librit” të Ergys Agasit. Ajo kërkoi që të mbahen përgjegjësi për mosfunksionimin e serverëve dhe mungesën e kontratës për sistemin digjital.
“Serverët e dhuruar nga Bashkimi Europian përmes programit UNOPS për Bibliotekën Kombëtare janë marrë nga AKSHI, por ‘janë harruar’ dhe nuk janë vënë në punë”, u shpreh Ina Zhupa.
Ajo theksoi se, përveç marrjes së serverëve, institucioni nuk ka rinovuar as kontratën dhe nuk ka lidhur një marrëveshje të re për sistemin ALIS, duke e lënë Bibliotekën Kombëtare në një situatë problematike prej kohësh.
Sipas deputetes, kur çështja lidhet me librat, dijen dhe të drejtën e qytetarëve për të pasur akses në informacion, institucionet shtetërore nuk reagojnë. Ndërsa, kur bëhet fjalë për tendera dhe koncesione të AKSHI-t, ajo pretendon se procedurat ecin me shpejtësi marramendëse, nën ndikimin e “librit” me autor Ergys Agasin.
“AKSHI nuk gjen kohë për bibliotekën dhe librat, pasi e ka kohën të zënë me aferat më të mëdha të korrupsionit”, deklaroi Zhupa.
