Gjykata Kushtetuese shqyrton Kuvendin dhe Qeverinë, juristët nuk përjashtojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme

Të dielën, më 13 shtator, u konstituua Kuvendi dhe u votua Qeveria Kurti 4, e cila mori 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim. Megjithatë, brenda dy ditësh, si procesi i konstituimit të Kuvendit, ashtu edhe ai i formimit të Qeverisë, u dërguan për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Të lidhura

None found

Partia Demokratike e Kosovës iu drejtua të hënën Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve dhe procedurave që çuan në konstituimin e Legjislaturës XI.

Kërkesa u paraqit nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Sipas Tahirit, partia kërkon një qëndrim përfundimtar të Kushtetueses lidhur me shkeljet që, në vlerësimin e PDK-së, e kanë shoqëruar procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt”, deklaroi Tahiri.

PDK ka kundërshtuar vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve dhe konstatimin e 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI.

Partia i ka kërkuar Gjykatës të shqyrtojë këto vendime dhe të përcaktojë pasojat juridike në rast se konstatohen shkelje kushtetuese.

Një ditë më pas, Arian Tahiri dhe Përparim Gruda dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës edhe kërkesën e dytë për vlerësim kushtetues.

Kësaj here, objekt i kontestimit është Vendimi nr. 11-V-007, i datës 13 shtator 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vullnet Bukaqku nga KDI ka komentuar për “Bota sot” kërkesën që lidhet me konstituimin e Kuvendit. Ai tha se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë pasojat e mundshme të mosrespektimit të afatit kushtetues.

Sipas tij, fillimisht duhet të sqarohet se cilat janë pasojat juridike dhe kushtetuese që sjell tejkalimi i afatit për zgjedhjen e organeve dhe për konstituimin e Kuvendit.

“E para, duhet të përcaktohet se çfarë pasojash shkakton mosrespektimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e organeve dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pasojat duhet të përcaktohen nga Gjykata Kushtetuese, si në kuptimin ligjor e kushtetues, ashtu edhe në atë politik, nëse ajo vlerëson se mund të vendosen pasoja të tilla”, ka thënë Bukaqku për “Bota sot”.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kushtetuesja të arrijë në përfundimin se Kuvendi nuk është konstituuar rregullisht, për shkak të moszgjedhjes së njërit prej nënkryetarëve.

“Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi nuk është i konstituuar, për shkak se nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i dytë, ose nëse konstaton se në një rast të mëparshëm Kuvendi është konsideruar i konstituuar pa u zgjedhur nënkryetari që i takon një partie tjetër parlamentare, atëherë Gjykata mund të përcaktojë që procesi të fillojë nga zero dhe të përsëritet aspekti i konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në një skenar të tillë, deputetët mund të detyrohen ta përsërisin të gjithë procedurën, përfshirë zgjedhjen e nënkryetarëve që u takojnë të gjitha grupeve parlamentare.

Bukaqku vëren se Kushtetuta nuk e përcakton shprehimisht se çfarë ndodh me vendimmarrjen e Kuvendit në rast se tejkalohet afati 30-ditor për konstituim.

“Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton në mënyrë eksplicite se, në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, mandati i tij bëhet i paligjshëm ose jo legjitim. Prandaj, kjo mbetet një çështje e interpretimit hipotetik, sepse një pasojë e tillë nuk është e përcaktuar në mënyrë eksplicite as në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Bukaqku.

Duke u ndalur te kërkesa për masë të përkohshme, juristi paralajmëroi se një vendim i tillë mund të ndikojë në vijimin e punës së Kuvendit dhe në funksionimin e Qeverisë së Kosovës.

Ai theksoi se, nëse Kuvendi vazhdon aktivitetin dhe miraton vendime, ndërsa më vonë Gjykata Kushtetuese konstaton se konstituimi nuk ka qenë kushtetues, mund të lindin pasoja për të gjitha veprimet e ndërmarra gjatë asaj periudhe.

“Masa e përkohshme kërkohet për të parandaluar ose evituar pasojat dhe dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen nëse Kuvendi vazhdon aktivitetin e tij. Mund të ndodhë që Kuvendi të mblidhet këtë javë, të zgjedhë Presidentin, të miratojë ligje, të ndërmarrë procese apo procedura që kanë të bëjnë me emërimin e zyrtarëve të lartë, ndërkohë që më pas mund të konstatohet se këto veprime kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë ai.

Sipas tij, një konstatim i tillë do të mund të sillte një zinxhir pasojash juridike.

“Ekziston një varg pasojash që, në rast se konstatohet se Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë kushtetuese, mund të kenë efekt zinxhir dhe të çojnë në vlerësimin se edhe veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga Kuvendi kanë qenë antikushtetuese”, ka deklaruar Bukaqku.

Për këtë arsye, ai e konsideron masën e përkohshme një mekanizëm që mund të ndalojë miratimin e vendimeve të cilat më vonë do të duhej të rishikoheshin ose anuloheshin.

“Besoj se një masë e tillë është e domosdoshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i çfarëdo vendimi nga Kuvendi që më pas mund të duhet të anulohet, si pasojë e një konstatimi se Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë të rregullt”, ka theksuar ai.

Bukaqku foli edhe për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë, duke vlerësuar se edhe kjo çështje do të marrë rëndësi të veçantë në aspektin kushtetues.

“Çdo vendimmarrje apo çdo veprim që zhvillohet, qoftë në Kuvend apo në Qeveri, përderisa nuk ka një masë të përkohshme, mund të kontestohet më vonë në Gjykatën Kushtetuese nga palët e autorizuara. Prandaj, edhe çështja e Qeverisë, më duket se tani e tutje do të marrë kahje drejt interpretimit kushtetues”, ka përfunduar Bukaqku.

Edhe juristi Blerim Burjani tha se tashmë vendimi kryesor është në duart e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kjo gjykatë duhet të vlerësojë nëse procedurat e ndjekura janë zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje me kërkesat e Kushtetutës.

“PDK-ja konteston edhe konstituimin e Kuvendit, edhe atë të Qeverisë. Ajo konteston edhe faktin që Kuvendi nuk është zgjedhur dhe konstituuar në kohë legjitime, apo brenda afateve kushtetuese. Pra, tash Gjykata e ka në dorë se çfarë do të ndodhë më tutje dhe nëse do të hidhet poshtë apo jo konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Burjani vlerësoi se përplasjet mes partive janë thelluar dhe se një pikë kyçe do të jetë vendimi për masën e përkohshme të kërkuar nga PDK-ja.

“Tash dihet se ka një përplasje të madhe ndërmjet partive, por ajo që mbetet për t’u parë është se a do ta pranojë Gjykata Kushtetuese masën e përkohshme. Nëse kjo ndodh, atëherë stopohet puna e mëtejshme e Kuvendit dhe kjo do të kishte pasoja edhe në funksionimin institucional”, është shprehur ai.

Ai tha se zhvillimet politike dhe institucionale mund ta rikthejnë në diskutim mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Tashmë po bëhet e ditur se duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, kur ndryshojnë rrethanat aktuale politike. Mendoj se njëherë po përballemi me gjëra të paparashikueshme që mund të ndodhin”, ka deklaruar Burjani.

Burjani shtoi se hapi i ardhshëm duhet të jetë krijimi i institucioneve që mund të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme.

“Kosovës i duhen institucione valide, kredibile dhe efikase në veprim. Tash duhet të shihet se si do të rrjedhin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe çfarë pasoja do të kenë ato për situatën politike dhe institucionale”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.


Shtuar 18.09.2026 12:25

sultanbeyli escortparla iptvvize başvurumarsbahisgrandpashabetgrandpashabetcasinofaststarzbetjojobetJojobetMarsbahisholiganbetjojobetjojobettipobetMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibombetsatbullbahisbahsegelstarzbetsekabetmarsbahis güncel girişjojobetzbahiscasibomJojobet Giriş