Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar pamje nga reparti zjarrfikës i Lushnjes, ku kushtet e punës paraqiten tejet të rënda.
Korreshi ka treguar gjendjen e këtij reparti, ndërsa ka bërë publike edhe një mesazh të marrë nga një prej punonjësve.
Të lidhura
None found
Punonjësi denoncon se, përveç kushteve të papërshtatshme, prej rreth 20 ditësh nuk janë marrë pagat, shpërblimi i premtuar nga kryeministri dhe pagesat për orët shtesë.
“Përshëndetje Z. Saimir Korreshi. Kemi një problem shumë të madh këtu te reparti MZSH (Zjarrfikësja). Problemi është se na kanë lënë në një kodër që po të vish ta shikosh nga afër është mizerje, të dalin minjtë e lloj-lloj insektesh që s’di si ta shpjegoj, është katastrofë. Problemi që kemi tjetër është edhe rrogat tona, kanë afërsisht 20 ditë që nuk na japin as rrogën, shpërblimin që na ka premtuar kryeministri, as orët shtesë që kemi bërë. Kemi marrë veç 500 mijë lekë, si me pas qenë punonjës komunalë, jo si punonjës të zjarrfikëses. Nuk na i kanë paguar as orët shtesë, as shpërblimin. Duam të dimë se ku i kanë çuar lekët tona. Anonim emrin, të lutem. Shumë faleminderit, Z. Saimir Korreshi”.
Korreshi e ka shoqëruar publikimin me apelin që pamjet të shihen me kujdes, duke rikujtuar ftesën e bërë një ditë më parë për ta parë së bashku situatën në repart.
