Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për Hashim Thaçin dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Duke folur për “Bota sot”, Bosch e përshkroi vendimin si “skandaloz” dhe tha se gjatë procesit nuk janë paraqitur prova që e lidhin Thaçin me krimet për të cilat është gjykuar.
“Skandaloze. Nuk ka prova që Thaçi kishte të bënte me të ashtuquajturat krime”, deklaroi ai.
Ish-ambasadori kritikoi edhe funksionimin e gjykatës, për të cilën tha se, pavarësisht nëse kjo ka ndodhur me vetëdije apo jo, ka favorizuar interesat e Serbisë.
“Kjo e ashtuquajtur gjykatë kosovare u shërbeu shumë mirë interesave serbe, me vetëdije apo pa vetëdije”, u shpreh Bosch.
Ai ngriti shqetësimin edhe për mungesën e ndëshkimit të personave përgjegjës për krime në Serbi, duke theksuar se disa prej tyre vijojnë të mbajnë poste në nivelet më të larta shtetërore dhe ushtarake.
Bosch deklaroi gjithashtu se gjykata nuk i ka marrë parasysh dëshmitë e disa zyrtarëve të rëndësishëm perëndimorë.
“Gjykata i shpërfilli dëshmitarët, përfshirë zyrtarë jashtëzakonisht të rëndësishëm perëndimorë. Arroganca është përtej fjalëve”, përfundoi ish-ambasadori.
