Para Kryeministrisë u mbajt këtë të mërkurë protesta e 109-të, e organizuar me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Një nga çështjet kryesore të ngritura gjatë tubimit ishte vendimi i Hagës për dënimin e liderëve të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Një prej protestuesve deklaroi se vendimi i marrë nuk mund të ndryshojë historinë dhe të vërtetën e luftës në Kosovë.
“Përshëndetje të gjithëve. Ky flamur që shihni është simboli i një lufte për liri, një lufte që la mijëra të vrarë. Për atë flamur humbën jetën mbi 20 mijë shqiptarë dhe mijëra gra u dhunuan. Për të gjithë ata që e përjetuan luftën, kjo është një ditë zie.
Sot kombi shqiptar është tradhtuar nga Europa. Kjo situatë na rikthen te viti 1913, kur Kosova iu dorëzua Serbisë. Plagët janë hapur sërish dhe ky vendim është një thikë pas shpine. Ai i vret për herë të dytë ata që sakrifikuan jetën për vendin tonë.
UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë dhe Kosova është e lirë falë burrave që luftuan për të. Vendimi i Hagës nuk e ndryshon të vërtetën. Historia e Kosovës nuk është shkruar në Hagë, por me gjak në tokën e saj.
Ku po shkojmë kur Rama përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Serbinë? Nuk ke të drejtë të flasësh për turp, pasi je rreshtuar në anën e tradhtarëve”, u shpreh protestuesi.
