Qytetarë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Protestues të ndryshëm e vlerësuan vendimin si të padrejtë dhe kërkuan që reagimi qytetar të vijojë në mënyrë paqësore.
Nazif Fllanza e përshkroi tubimin si të zbehtë dhe vendimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së si një nga më të rëndët.
Fllanza kërkon grevë popullore paqësore
“Kjo është një protestë e zbehtë, ndërsa vendimi është i vështirë dhe ndër më të këqijtë. Shpresojmë që të mos jetë një vendim i vlefshëm. Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka për Kosovën, janë dënuar dhe kjo përbën një krim ndaj UÇK-së. Hashim Thaçi dhe shokët e tij janë dënuar me 25 vjet burg, ndonëse kanë mbrojtur shtetin. I bëj thirrje popullit të organizojë një grevë masive, por në mënyrë paqësore, në mënyrë që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të bashkohen në këtë grevë”, u shpreh ai.
Arton Klona, qytetar nga Drenasi, deklaroi se protestat duhet të vazhdojnë derisa të ndërmerret një veprim për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Klona: Protestat do të vijojnë deri në një masë për ish-krerët në Hagë
“Do të qëndrojmë gjithë natën dhe do të presim deri sa të merret një vendim për ta. Edhe Parlamenti duhet të dalë përpara nesh dhe të na garantojë të drejtën për të protestuar deri në lirimin e ushtarëve të UÇK-së, sepse ndaj tyre është bërë padrejtësi. Po presim edhe disa nga udhëheqësit e UÇK-së, të cilët na kanë thënë se do të mobilizohemi së bashku dhe do të vendosim se si do të veprojmë në ditët në vijim. Nuk besoj se do të ndalemi pa u marrë një masë për UÇK-në dhe për personat që ndodhen në Hagë”, tha ai.
Avni Ulluri e cilësoi të pamjaftueshëm numrin e pjesëmarrësve, duke e përshkruar protestën si simbolike.
Ulluri: Reagimi duhet të jetë paqësor, pa masa radikale
“Kjo protestë është simbolike. Me 200 persona nuk mund të bëjë asgjë Kosova. Nuk janë dënuar vetëm udhëheqësit, por është dënuar shteti. Tani duhet të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se kush do të vijë në Kosovë. Unë kam ardhur nga Gjermania, por pjesëmarrja dhe mbështetja kanë qenë shumë të pakta”, deklaroi Ulluri.
Ai shtoi se nuk e mbështet përdorimin e masave radikale, duke insistuar që çdo reagim të zhvillohet në mënyrë paqësore.
