Vetëm një ditë para se të shpallet aktgjykimi për Hashim Thaçin dhe ish-udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjyqtari Charles Smith ka miratuar zgjatjen e masës së paraburgimit për Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja Rina Mujku nga Haga.
Të lidhura
None found
Masa e re e paraburgimit do të qëndrojë në fuqi edhe për dy muaj të tjerë, sipas raportimeve të Mujkut.
Ajo sqaroi se bëhet fjalë për një hap procedural që duhej ndërmarrë për shkak të skadimit të afateve. Vendimi paraprak për këtë çështje ishte marrë më 15 korrik dhe dita e sotme shënonte afatin e fundit për një vendim të ri. Megjithatë, Mujku vuri në dukje se gjyqtari Smith kishte mundësinë të priste të paktën deri nesër, kur do të bëhet e ditur vendimi përfundimtar për të gjithë të akuzuarit, dhe më pas të vendoste për katërshen në tërësi.
Në datën 10 gusht, gjykata kishte vendosur që edhe Thaçi të vijonte të qëndronte në paraburgim.
Në po atë akt, kryegjyqtari Charles Smith i udhëzoi palët që të mos dorëzonin më kërkesa lidhur me shqyrtimin e radhës për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit të Kosovës. Sipas kalendarit procedural, një shqyrtim i tillë ishte parashikuar të mbahej më 9 tetor 2026.
Trupi Gjykues arsyetoi se një seancë e tillë nuk konsiderohej më e domosdoshme, duke marrë parasysh që data e shpalljes së aktgjykimit ishte fiksuar për në 16 shtator.
Po ashtu, në fund të muajit korrik, paraburgimi i ishte vazhduar edhe Selimit. Paneli gjyqësor njoftoi atëherë se shqyrtimi i radhës ishte planifikuar paraprakisht për datën 28 shtator.
