Gjatë një interviste në News24, avokati i njohur Spartak Ngjela, komentoi hetimet e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pasi ipas Ngjelës, struktura e posaçme e drejtësisë nuk mund të ndikohet lehtësisht apo të marrë vendime të gabuara, pasi mbështetet dhe monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë.
“SPAK nuk gabon. Kontrollohet nga jashtë. Pse nuk vepron SPAK është pyetja. Nuk e ka të lehtë. SPAK nuk janë njerëz të zakonshëm. Kanë ekspertët amerikanë juridikë. Nuk mund të goditet aq kollaj Shqipëria sepse ka mbrojtje”, u shpreh ai.
Të lidhura
None found
Duke folur për hetimet që prekin nivelet e larta të qeverisjes, avokati deklaroi se drejtuesit e vendit e dinë se çfarë pasojash mund të sjellë procesi i nisur nga SPAK.
Ngjela kujtoi edhe deklaratën e Bidenit në momentin e krijimit të strukturës së posaçme: “Të gjitha këto që ndodhin nuk është se nuk i di ai që na drejton. Kur u vu SPAK, tha Biden do t’i heqim korrupsionin Shqipërisë”.
Ngjela ishte i prerë në vlerësimin e tij për ish-zëvendëskryeministren Balluku dhe personat e tjerë që mund të preken nga hetimet. “Balluku nuk shpëton dot, asnjë nuk shpëton dot. Krejt e pamundur”, deklaroi ai gjatë intervistës.
Sa i takon vonesës së veprimeve zyrtare, avokati tha se SPAK po punon për të siguruar një bazë të plotë provash përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. “SPAK nuk vepron pa prova. SPAK nuk ka krijuar ende ekuacionin e saktë të provave dhe ndaj po vonon, sipas meje. Por që hetimet vijojnë, kjo nuk diskutohet”, tha Ngjela.
Në përfundim, ai iu referua numrit të ministrave dhe ish-kryeministrave që ndodhen në procese penale, duke theksuar se periudha e pandëshkueshmërisë për kabinetin qeveritar ka përfunduar.
