Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur shqetësimin se vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë mund të ndikohen nga konsiderata politike.
Të lidhura
None found
Reagimi i tij është bërë publik pak para shpalljes së vendimit për çështjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Në një postim në platformën X, Self ka deklaruar se në rastet që lidhen me Hagën është përsëritur shqetësimi për ndikimin e mundshëm të paragjykimeve politike në proceset e vendimmarrjes.
“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimet e tyre”, ka shkruar kongresmeni amerikan.
Ai ka theksuar se shpreson që një ndikim i tillë të mos përcaktojë vendimin që pritet të shpallet këtë javë ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe”, ka deklaruar Self.
Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, kongresmeni amerikan ka lidhur këtë çështje edhe me situatën politike dhe të sigurisë në Ballkan.
Sipas tij, tensionet dhe ndarjet mund të rrezikojnë stabilitetin, ndërsa regjimet shtypëse mund t’i shfrytëzojnë ato për të nxitur përçarje në vend që të kontribuojnë në pajtim.
“Ballkani është një kuti baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes sesa të punojnë drejt pajtimit”, ka shkruar ai.
Reagimi i Keith Self vjen në një kohë kur vëmendja është përqendruar te Gjykata Speciale në Hagë dhe vendimi për rastin ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
