Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë, AGSH, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë një interviste në emisionin “Minuta e parë” në News24, kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, deklaroi se rregullat e reja vendosin kufizime që e kthejnë procesin e ndjekjes së seancave gjyqësore shumë vite pas, në kohën kur gjithçka dokumentohej me laps dhe letër.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ndalimi i celularëve dhe pajisjeve regjistruese, së bashku me procedurat e shumta për të hyrë në sallën e gjyqit, cenojnë interesin publik dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi procese që lidhen me ish-kryeministra, ish-ministra dhe përdorimin e parave publike.
Isa Myzyraj, kryetar i AGSH-së: Rregullorja përmban kufizime të shumta, pasi ndalon celularët dhe regjistruesit. Kjo na kthen shumë vite prapa, në periudhën kur proceset ndiqeshin me laps e letër. Edhe hyrja në sallë shoqërohet me një seri procedurash. Përmes saj preket interesi publik dhe u kufizohet shqiptarëve mundësia për të marrë informacion mbi procese gjyqësore që përfshijnë persona që kanë qenë kryeministra apo ministra dhe që kanë keqpërdorur fondet publike.
Gazetarja Klodiana Lala, e cilësoi rregulloren një shkelje të hapur të ligjit, duke thënë se ajo krijon kaos dhe e izolon GJKKO-në. Ajo solli në vëmendje se e ka ndjekur veprimtarinë e kësaj gjykate edhe kur ajo quhej Gjykata e Krimeve të Rënda dhe se në atë kohë proceset monitoroheshin me kamera.
Klodiana Lala, gazetare: Nisma e firmosur nga gjyqtari Erjon Bani e mbyll dhe e bunkerizon GJKKO-në. Gazetarët i nënshtrohen skanerit dhe kontrollit fizik, ndërsa ligji përcakton se seancat gjyqësore janë publike, me përjashtim të disa rasteve.
Çështjet me interes publik, ku përfshihen emra nga bota e biznesit dhe e krimit të organizuar, duhet të raportohen. Sipas rregullores, për çdo seancë duhet të plotësojmë një formular. Unë ndjek deri në 10 procese gjyqësore në ditë në GJKKO, ndaj kjo e vështirëson dhe e pengon drejtpërdrejt punën time. Një tjetër problem është se gazetari duhet të raportojë të vërtetën, por nuk është dëshmitar në procesin gjyqësor.
GJKKO nuk është konsultuar me gazetarët për këto ndryshime, ndonëse kanë qenë mediat ato që e kanë vendosur këtë gjykatë në qendër të vëmendjes. Ne e kuptojmë se në raste të caktuara duhet treguar kujdes, për shembull kur bëhet fjalë për sekretin shtetëror ose të miturit, dhe këto rregulla nuk i kemi cenuar asnjëherë.
Por kur në gjykatë paraqiten Sali Berisha, Ilir Meta, Erion Veliaj apo Belinda Balluku, publiku duhet të ketë transparencë. Kjo rregullore u miratua pikërisht tani, kur në procese gjyqësore janë përfshirë figura të politikës. Unë do të ndjek gjyqet si qytetare dhe jo si gazetare. Zoti Bani duhet të reflektojë dhe ta tërheqë këtë rregullore antiligjore.

