Partia Demokratike e Kosovës iu drejtua gjatë ditës së sotme Gjykatës Kushtetuese me një lëndë që lidhet me konstituimin e Kuvendit. PDK-ja u përfaqësua nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
Të lidhura
None found
Pas deponimit të ankesës, Arian Tahiri deklaroi në një konferencë për media se partia i është drejtuar Kushtetueses me kërkesën për vendosjen e një mase që do të parandalonte dëmet institucionale.
Duke komentuar këtë zhvillim, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, tha se Gjykata mund të caktojë një masë të përkohshme dhe për këtë mund të vendosë më shpejt, ose do të duhej të vepronte më shpejt. Megjithatë, ai vlerësoi se një masë e tillë nuk është e nevojshme, pasi bëhet fjalë për një çështje që është gjykuar.
Baraliu sqaroi gjithashtu se Gjykata nuk ka një afat të përcaktuar për nxjerrjen e vendimit. Sipas tij, rregullorja parasheh 60 ditë për çështje të caktuara, por ka pasur raste kur trajtimi ka zgjatur me muaj apo edhe me vite.
Ai shtoi se, përderisa Gjykata nuk ka marrë ndonjë vendim dhe nuk ka vendosur masë të përkohshme, Kuvendi mund të vazhdojë zhvillimin e seancave.
Sipas Baraliut, edhe nëse konstatohet se ka pasur shkelje, Gjykata nuk përcakton që vendi të shkojë automatikisht në zgjedhje. Ai theksoi se Kushtetuesja vendos në mënyrë njëinstanciale.
Në vlerësimin e tij, më e rëndësishmja është që Gjykata të marrë vendim sa më shpejt, pasi çështja është shumë urgjente. Baraliu tha se organet nuk duhet të pengohen në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, përveç rastit kur Gjykata konsideron se është shkelur Kushtetuta.
