Arben Fetoshi, në krye të Institutit “Octopus”, ka shprehur shqetësim për afrimin ideologjik të qarqeve ruse me disa përfaqësues të teologjisë islame. Sipas tij, synimi mund të jetë që Rusisë t’i atribuohet një pozicion i veçantë në konfigurimin e ardhshëm gjeopolitik.
Në analizën e titulluar “Eskatologjia ruse e islamit”, Fetoshi vëren se lidhja e profecive fetare me interesat politike të Moskës mund të përdoret për të nxitur qëndrime kundër Perëndimit.
Të lidhura
None found
Ai u bën thirrje shqiptarëve të Ballkanit t’i ndjekin me kujdes këto zhvillime dhe përmend edhe idenë e krijimit të një fronti shqiptaro-serb kundër elitave perëndimore.
Shkrimi i plotë:
“ESKATOLOGJIA RUSE” E ISLAMIT
Çfarë i lidh Aleksandër Duginin, të cilin e quajnë “truri i Putinit”, me teologun islam Imran Hosein?
A është kjo afërsi ideologjike një pasqyrim i interesave gjeopolitike, apo synon ta paraqesë Rusinë si Katechon, pra si forcën që ndalon triumfin e së keqes, duke bashkuar eskatologjinë ortodokse me profecitë islame mbi fundin e Botës?
Në përplasjen e sotme gjeopolitike, “dialogu” ndërfetar mes tyre shërben si platformë për strategjinë revizioniste që synon ta vendosë Rusinë në qendër të “rendit të ardhshëm” euro-aziatik.
Intervista e dy sharlatanëve në Tsargrad TV, përmes së cilës profecitë që “favorizojnë” Rusinë kthehen në instrument gjeopolitik, ka implikime strategjike dhe duhet të ndiqet me vëmendje edhe nga ne shqiptarët në Ballkan.
Përdorimi i besimit islam, afrimi me krishterimin ortodoks dhe paraqitja e interesave ruse si “mision hyjnor” synojnë të nxisin ndjenjat antiperëndimore. Kjo përputhet me formulën e Duginit për një “front shqiptaro-serb” kundër elitave globaliste (Gugin në X, 20.10.2026).
Benazir Buto, kryeministrja e Pakistanit dhe një prej zërave më të fuqishëm kundër përdorimit të islamit për qëllime të tjera (Pajtimi: Islami, Demokracia dhe Perëndimi, 2008), është vrarë prej kohësh. Për këtë arsye, nuk duhen shpërfillur ndërthurjet ortodokso-islame që fshehin synimet sovjetike të Putinit.



