Ministria e Mbrojtjes, ka bërë të ditur përditësimin më të fundit lidhur me situatën e zjarreve në territorin e vendit. Në harkun e 24 orëve janë evidentuar në total 40 vatra zjarri.
Prej tyre, 25 janë shuar plotësisht, 9 po mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa 6 të tjera vijojnë të jenë aktive.
Të lidhura
None found
Për menaxhimin e situatës janë mobilizuar 492 forca operacionale vendore dhe lokale, së bashku me 36 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të ndërhyrjeve, Forcat e Armatosura, kanë vënë në dispozicion 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Në Qarkun Tiranë vazhdon të jetë aktiv zjarri në Malin e Dajtit, por pa përbërë rrezik për zonat e banuara. Strukturat vendore, ADZM dhe Forcat e Armatosura u përfshinë në operacion gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot FA do të dërgojë 30 efektivë në Dajt për të ndihmuar ekipet në terren. Ndërkohë, vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe po monitorohet.
Në Qarkun Dibër mbeten aktive zjarret në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë. Në këto zona po ndërhyjnë shërbimet zjarrfikëse dhe pyjore, strukturat bashkiake dhe ato të emergjencave civile. Vatra në Qafën e Helmes vazhdon të mbahet nën vëzhgim.
Në Qarkun Shkodër, zjarri në Porav të Fushë-Arrëzit është ende aktiv. Vatrat në Rragam–Bardhaj–Myselim dhe në Malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje, ndërsa nuk raportohet për banesa të rrezikuara.
Për të përforcuar operacionet në terren, gjatë ditës së sotme do të angazhohen 20 efektivë të Forcave të Armatosura në Rragam, Shkodër.
Në Qarkun Fier vijon aktive vatra në Çërrilë të Mallakastrës, në një zonë të mbuluar me pyll pishe, lis dhe shkurre. Një ditë më parë, Forcat e Armatosura ndihmuan operacionin me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Sot është parashikuar përfshirja e 30 efektivëve të FA në Çërrilë, të cilët do të mbështesin strukturat që po punojnë për shuarjen e flakëve.
Sa u përket qarqeve Lezhë, Elbasan dhe Korçë, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara është shuar ose po mbahet nën mbikëqyrje.
Forcat e Armatosura kanë planifikuar që gjatë ditës së sotme të angazhojnë të paktën 80 efektivë në Dajt, Çërrilë dhe Rragam, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe forcat e tjera operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po e monitoron pa ndërprerje situatën në të gjithë vendin, duke bashkërenduar veprimet me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat që janë pjesë e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe qëndrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja. Përparësi mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
