Perimi, i njohur gjithashtu si Mayyun, është një ishull i pabanuar në ngushticën Bab al-Mandab, i cili po fiton peshë të madhe gjeopolitike teksa konflikti në Jemen po hyn në një fazë më të tensionuar. Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, po përpiqen të shtrijnë kontrollin e tyre përgjatë bregut të Detit të Kuq.
Të lidhura
None found
Bab al-Mandab lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përbën një prej korridoreve më të rëndësishme të lundrimit në botë. Ishulli ndodhet rreth 20 kilometra larg brigjeve të Afrikës dhe Gadishullit Arabik.
Burime rajonale të cituara nga CNN bëjnë të ditur se forcat Houthi kanë shtuar ofensivën dhe po drejtohen drejt qytetit port të Mokës, i cili shtrihet rreth 80 kilometra në veri të Perimit. Nëse do të merrnin ishullin, rebelët do të siguronin një pikë të favorshme për kërcënimin e anijeve që përdorin këtë kalim natyror drejt Detit të Kuq.
Një nyje e rëndësishme e tregtisë ndërkombëtare
Pesha strategjike e Bab al-Mandabit është shtuar edhe për shkak të përplasjes me Iranin dhe vështirësive të krijuara në transportin detar përmes ngushticës së Hormuzit. Për të shmangur rrugët tradicionale përmes Hormuzit, Arabia Saudite ka kaluar një pjesë të eksporteve të naftës drejt Detit të Kuq.
Një operacion i zgjatur i Houthive në Bab al-Mandab do të mund të ndikonte drejtpërdrejt te transporti global dhe te çmimet e energjisë.
Sipas të dhënave të Kpler, volumi i naftës që kalon nëpër këtë rrugë është përgjysmuar në krahasim me disa vite më parë. Rreth tre vite më parë, Bab al-Mandab përllogaritej se përbënte afërsisht 10% të tregtisë botërore të naftës së transportuar me rrugë detare.
Saleh: Tashmë është çështje gjeopolitike
Tarik Saleh, zëvendëspresident i qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht dhe komandant ushtarak, ka paralajmëruar se një marrje e Perimit nga Houthit do të sillte ndryshime të mëdha në situatë.

Ai ka deklaruar se kontrolli i drejtpërdrejtë i ishullit dhe i Bab al-Mandabit nga rebelët do të kërkonte ndërhyrjen e një force të madhe ndërkombëtare, së bashku me flotat ushtarake, për t’i larguar ata nga zona.
“Është gjeopolitike tani”, është shprehur Saleh, duke theksuar se lufta në Jemen nuk mund të konsiderohet më vetëm një konflikt i brendshëm.
Mbështetja iraniane për Houthit
Konflikti civil në Jemen shpërtheu në vitin 2014, kur Houthit pushtuan kryeqytetin Sana dhe e detyruan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të tërhiqej.
Irani u ka siguruar rebelëve armë dhe trajnim, ndërsa Houthit kanë rritur ndjeshëm aftësitë e tyre ushtarake. Pas fillimit të luftës në Gaza në vitin 2023, grupi nisi të sulmonte Izraelin dhe anijet tregtare në Detin e Kuq, duke e lidhur drejtpërdrejt luftën në Jemen me përplasjen më të gjerë rajonale.
Gjatë muajve të fundit, Houthit kanë intensifikuar sulmet ndaj forcave qeveritare, duke vënë në rrezik edhe marrëveshjen joformale të armëpushimit që kishte qëndruar në fuqi prej disa vitesh.
Moka, në qendër të luftimeve
Moka është shndërruar në një nga vatrat kryesore të përplasjes. Pas një sulmi të fundit me raketa, porti u mbyll, ndërsa drejtuesi i tij, Abdel Malek Al-Sharaabi, deklaroi se goditja shkaktoi 16 viktima.
