Donald Trump u ka bërë një kërkesë të re aleatëve europianë, duke i vendosur sërish në një pozitë të vështirë. Presidenti amerikan kërkon që shtetet e Europës t’u rimbursojnë Shteteve të Bashkuara fondet e përdorura për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës gjatë presidencës së paraardhësit të tij, Joe Biden.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në platformën e tij, Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përllogariti mbështetjen e dhënë nga Uashingtoni për Kievin në “qindra miliarda dollarë”. Ai pretendoi se kjo ndihmë është ofruar pa asnjë kompensim nga pala përfituese.
Sipas Trump, nëse kostot e mbështetjes do të ishin shpërndarë në mënyrë të drejtë, kjo shumë duhej të ishte paguar nga vendet europiane. “Ne do të kërkojmë kthimin e këtyre parave, edhe pse me vonesë”, shkroi ai.
Megjithatë, shifra e paraqitur nga presidenti amerikan mbetet objekt debati, pasi vlera ndryshon në varësi të metodës së përdorur për llogaritjen e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
Në të njëjtin reagim, Trump pohoi se SHBA-ja zotëron “sasi praktikisht të pakufizuara municionesh”. Sipas tij, vendi ka shumë më tepër municione sesa mund t’i nevojiten, duke përfshirë edhe ato që mund të përdoren kundër Iranit. Ai shtoi se industria amerikane vijon prodhimin e tyre në sasi të mëdha.
Deklaratat pasojnë raportimet se, për shkak të konfliktit me Iranin, rezervat amerikane të disa sistemeve të armëve me precizion të lartë dhe të raketave kundërajrore janë pakësuar ndjeshëm. Kjo situatë ka nxitur shqetësime për nivelin e gatishmërisë së ushtrisë amerikane për t’u përballur me konflikte të mundshme në të ardhmen.
