Në një reagim në rrjete sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra një ditë më parë nga ish-zëvendës kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili ndër të tjera akuzoi qeverinë e Edi Ramës për trafik armësh.
Ai shkruan se faktet dhe dëshmitë e publikuara, tregojnë se qeveria është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe se Ron Yeffet, miku i kryeministrit, i lidhur me kompaninë KAYO pranon se është i punësuar për punët e pista.
Të lidhura
“Audiopërgjimi flet për armë që do prodhohen në Afrikë, por do paketohen në Shqipëri, e më pas të shiten në Ukrainë. Dhe ky është trafik ndërkombëtar armësh. Një krim i rëndë, me dijeninë dhe pushtetin e Edi Ramës. E gjitha përmes kompanisë shtetërore KAYO, të cilën në fakt e kontrollon Ron Yeffet, dhe shteti ka vetëm 20 përqind të aksioneve.
Është vetë miku i Ramës, Yeffet që pranon në këtë komunikim, se ai është pajtuar pra, është punësuar nga Edi Rama pikërisht për të bërë punët e pisëta. Pra për punë si kjo e trafikut të armëve”, shkruan Këlliçi.
Ai kërkon që kryeministri Rama dhe ministri i Mbrojtjes, të japin menjëherë dorëheqjen dhe se SPAK duhet të nisë hetimet menjëherë.
“Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë duhet të shkruajë sonte dorëheqjen. Kryeministri Edi Rama, duhet të shkruajë dorëheqjen fill pas ministrit të tij kamikaz. SPAK duhet të nisë urgjentisht hetimet e thelluara”, shton ai.
DEKLARATA:
Skandali i trafikut të armëve, duhen dorëheqje dhe hetime të menjëhershme nga SPAK!
Faktet dhe dëshmitë e publikuara sonte e nxjerrin qeverinë e Kryeministrit Edi Rama të përfshirë në trafik ndërkombëtar të armëve.
Në një intervistë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, dhënë për Çim Peka Live, në Syri Tv, publiku mësoi se si miku i Edi Ramës, izraeliti Ron Yeffet në një komunikim me partnerët e tij ukrainas për biznesin e armëve, tregon se ka në dorë qeverinë dhe çdo gjë në Shqipëri.
Nga biseda kuptohet se Ermal Nufi ishte në dispozicion për letrat, për marrëveshjet, kur ishte në detyrën e zv-Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Dhe pikërisht ky angazhim i Nufit në shërbim të këtij biznesi, e promovoi atë dhe e bëri Ministër të Mbrojtjes!
Audiopërgjimi flet për armë që do prodhohen në Afrikë, por do paketohen në Shqipëri, e më pas të shiten në Ukrainë. Dhe ky është trafik ndërkombëtar armësh. Një krim i rëndë, me dijeninë dhe pushtetin e Edi Ramës.
E gjitha përmes kompanisë shtetërore KAYO, të cilën në fakt e kontrollon Ron Yeffet, dhe shteti ka vetëm 20 përqind të aksioneve.
Është vetë miku i Ramës, Yeffet që pranon në këtë komunikim, se ai është pajtuar pra, është punësuar nga Edi Rama pikërisht për të bërë punët e pisëta. Pra për punë si kjo e trafikut të armëve.
Pas kësaj dëshmie, pas këtyre provave, pas këtij skandali të këtyre përmasave, 3 gjëra duhet të ndodhin menjëherë.
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë duhet të shkruajë sonte dorëheqjen.
Kryeministri Edi Rama, duhet të shkruajë dorëheqjen fill pas ministrit të tij kamikaz.
SPAK duhet të nisë urgjentisht hetimet e thelluara!
Nëse këto nuk ndodhin, Shqipëria nuk është më një Republikë, nuk ka ligje e Kushtetutë, por është një sulltanat privat i Edi Ramës dhe miqve të tij me të cilët po ndan e plaçkit pasuritë e vendit.

