Partia në pushtet VLEN ka komentuar të dhënat e fundit për ekonominë, sipas të cilave rritja ekonomike në tremujorin e dytë ka arritur në 4,3 për qind.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, zgjerimi ekonomik është mbështetur nga shtimi i investimeve, rritja e eksportit dhe performanca e industrisë përpunuese.
Të dhënat e paraqitura në kumtesën e VLEN-it tregojnë se investimet janë rritur me 16,5 për qind, eksporti me 10,4 për qind, ndërsa industria përpunuese ka shënuar rritje prej 4,1 për qind.
“Rritja ekonomike prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë është lajm i mirë për vendin. Edhe më e rëndësishme është se pas kësaj rritjeje qëndrojnë investimet, eksporti dhe industria përpunuese”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
VLEN bëri të ditur gjithashtu se, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, gjatë këtij viti janë akorduar 1,23 miliardë denarë, shumë kjo që përllogaritet në rreth 20 milionë euro, për kompanitë vendore.
Fondet, sipas kumtesës, do t’u shërbejnë kompanive që planifikojnë të zgjerojnë prodhimin, të blejnë pajisje dhe të krijojnë vende të reja pune.
