LSDM ka deklaruar se qeveria e drejtuar nga Hristijan Mickoski po e thellon borxhin e shtetit, ndërsa qytetarët po përballen me shtrenjtim të çmimeve dhe mungesë rritjeje të pagave.
Të lidhura
None found
Sipas partisë, në vetëm dy vjet janë krijuar detyrime të reja në vlerën e rreth katër miliardë eurove. LSDM pretendon se qeveria po përpiqet ta paraqesë nivelin real të borxhit publik në mënyrë të ndryshme nga ajo që rezulton prej detyrimeve të përcaktuara me ligj.
Partia opozitare rikujton se kryetari i saj, Venko Filipçe, kishte bërë të ditur më herët se Qeveria kishte vendosur të marrë hua 1.3 miliardë euro. LSDM thotë se Mickoski nuk reagoi për dy ditë dhe më pas pranoi se vendi po drejtohej drejt një borxhi prej 12 miliardë eurosh.
LSDM kërkon shpjegim se përse vendimi për huamarrjen e vitit 2027, për të cilin Mickoski kishte deklaruar se ishte marrë pesë muaj më parë, nuk iu bë i ditur menjëherë publikut. Sipas partisë, kjo dëshmon se “nuk ka para, thesari është bosh”.
Një tjetër çështje e ngritur nga LSDM është borxhi prej 350 milionë eurosh i SHPP-së, i cili, sipas pretendimit të saj, po përjashtohet nga përllogaritja e borxhit publik nga ana e Qeverisë. Partia citon Ligjin për Borxhin Publik, duke theksuar se në këtë borxh përfshihet edhe borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike dhe i shoqërive aksionare të krijuara nga shteti.
LSDM thekson se nuk ekziston një “kredi kornizë” që mund të përdoret për të fshehur gjendjen financiare të SHPP-së. Për mënyrën e prezantimit të borxhit publik, sipas saj, duhet të mbahet përgjegjësi.
“Tema e vërtetë nga e cila Mickoski po ikën është borxhi. Po e çojnë Maqedoninë drejt 12 miliardë eurove borxh”, shprehet LSDM-ja. Partia shton se shpenzimet për interesa janë rritur ndjeshëm, nga rreth 120 milionë euro para fillimit të mandatit të Mickoskit në rreth 350 milionë euro aktualisht.
Në përfundim, LSDM vlerëson se qytetarët po varfërohen, ndërsa shteti po rëndohet gjithnjë e më shumë nga borxhet. Partia e përshkruan politikën ekonomike të Qeverisë si “xhepa bosh dhe frigoriferë bosh për popullin, dhe 4 miliardë euro borxh të ri mbi kurrizin e qytetarëve vetëm në dy vjet”.
