Young pranë largimit nga Interi, Angli e SHBA destinacionet e mundshme

Aventura e Ashley Young me Interin duket se është drejt përfundimit, pasi kontrata e anësorit anglez me zikaltrit përfundon bashkë me sezonin dhe në Milano duket se nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë zgjatje të bashkëpunimit.

36 vitet mbi supet e anglezit, por edhe përshtatja e Perisic si anësor në krahun e majtë, kanë bërë që zikaltrit të vendosin ndërprerjen e bashkëpunimit mes Interit dhe Young, që me shumë gjasa do të rikthehet në Angli.

Watford e ka shfaqur hapur dëshirën për të rikthyer anësorin anglez në ekip, ndërsa së fundi në garë për shërbimet e tij është përfshirë edhe Inter Miami, me David Beckham që është angazhuar personalisht për ta bindur.

Në moshën 36-vjeçare dhe pasi ka marrë maksimumin nga futbolli në nivelet e larta në Europë, MLS-ja amerikane do të ishte ideale për Ashley Young, që mund të vijojë karrierën pa pasur nevojë për shumë sforco fizike.


Shtuar 9.05.2021 15:53