Reagimi i Vinicius Junior pas largimit nga fusha në sfidën e së mërkurës mbrëma kundër Romës në Ligën e Kampionëve ngjalli diskutime të shumta në rrjetet sociale. Braziliani ka sqaruar se çfarë fshihej pas zemërimit të tij në atë moment.
Jose Mourinho i kishte besuar sërish një vend në njëmbëdhjetëshen titullare ndaj Romës, pasi e kishte zëvendësuar edhe në përballjen me Villarrealin. Sulmuesi, megjithatë, nuk ia doli t’i përgjigjej me paraqitjen e tij besimit të trajnerit.
Të lidhura
None found
Me Real Madridin në disavantazh 3-1, Mourinho ndërhyri në minutën e 59-të, duke nxjerrë Viniciusin dhe duke hedhur në fushë brazilianin tjetër, Endrick. Pakënaqësia e lojtarit ishte e dukshme, pasi ai nuk ishte dakord të zëvendësohej në atë fazë të takimit.
Në shpjegimin e tij, Vinicius tha se dëshira për të dhënë maksimumin dhe për të ndihmuar skuadrën e bën të zemërohet kur largohet nga loja. Megjithatë, ai pranoi se pikërisht zëvendësimet rezultuan përcaktuese për ndeshjen: Endrick ndryshoi ritmin dhe ishte lojtari më i mirë, ndërsa Carlos (Espi) ia doli të shënonte, ndonëse u aktivizua vetëm për pak minuta.
Duke u ndalur te forma personale, ylli i Real Madridit nuk e fshehu zhgënjimin me paraqitjet e fundit. Ai sqaroi se zemërimi i drejtohej vetes, sepse nuk po arrinte të tregonte versionin e tij më të mirë, por këmbënguli se Vini gjithmonë rikthehet dhe se nuk kishte asnjë dyshim për rikthimin në nivelin e tij më të lartë.
Lexoni gjithashtu: Pas dënimit me katër ndeshje moslojë, Vinicius reagon për herë të parë dhe sulmon La Ligan.
Një tjetër çështje për të cilën foli braziliani ishin vërshëllimat në “Santiago Bernabeu”. Edhe pse pranoi se reagime të tilla nuk e ndihmojnë në fushë, ai tha se e kupton të drejtën e tifozëve për të shfaqur pakënaqësinë.
Sipas Viniciusit, tifozët që paguajnë për biletat kanë të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre, pavarësisht se vërshëllimat mund të mos i shërbejnë lojës së tij. Ai nënvizoi se mbështetja nga tribunat e bën skuadrën të luajë më mirë, duke përmendur Jude Bellinghamin, Kylian Mbappen dhe veten si lojtarë që paraqiten më mirë kur tifozët janë në krahun e tyre.







