UEFA vs SUPERLIGA/ Sot pritet të nisë “beteja” ligjore

Dita e sotme pritet të jetë data ku mund të nisë “beteja” ligjore mes klubeve që kane vendosur mos të tërhiqen nga Superliga dhe UEFA-s.

Kjo pasi që UEFA pas marrëveshjes me klubet angleze është hedhur menjëherë në sulm ku ka deklaruar se klubet të cilat mbeten pjesë e Superligës do të dënohen.

Klubet e mbetura janë, Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi, të cilat kanë vendosur të luftojnë për idenë e tyre.

UEFA ka kërcënuar se klubet mund të suspendohen me një periudhë dy vjeçare, por klubet theksojnë se nuk ndalohet me asnjë ligj krijimi i një lige ku do të rritet cilësia e futbollit.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, pas paralajmërimeve të UEFA-së, sot është dita ku “beteja” ligjërore do të fillojë.

Sipas gazetës, UEFA mund të iniciojë procedurë kundër klubeve të Superligës qysh nga sot. Në rast të një procedure të tillë, klubet kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë qështjen ne gjykatë, ku do të përballen me UEFA-në.

Ligjet e Bashkimit Evropian nuk e ndalojnë një krijim të një lige dhe janë kundër monopolit, siç thuhet në artikull, që mbahet nga UEFA.

Nëse UEFA dëshiron ta fitojë një betejë të tillë, duhet të përdorë lobim politik, përndryshe krijimi i një Superlige do të jetë gjithnjë duke trokitur në derë.

Shtuar 10.05.2021 11:26