Turam-Martinez gati për të thyer “murin” bardhezi

Simone Inzagi e nis sërish nga pikat fikse në sulm drejt Juventus-Inter. Në Torino, në mënyrë të pashmangshme, do të jenë Lautaro Martinez dhe Markus Turam, falë asaj alkimie të fortë të krijuar në një kohë të shkurtër. Numrat janë të gjithë në anën e tyre, siç nënvizon “Corriere dello Sport”. Deri më tani, të paktën një mes argjentinasit dhe francezit ka shënuar në 9 nga 12 ndeshjet në kampionat dhe në 3 nga 4 në Ligën e Kampioneve.

Në total kanë shënuar në 12 nga 16 ndeshje. Një udhërrëfyes i shkëlqyer, sepse tregon se, kur ata të dy janë bashkë, Interi pothuajse gjithmonë fillon me një avantazh goli. Ishte e vështirë të imagjinohej një mirëkuptim i ngjashëm në nisje të sezonit.

LAUTARO – Të sfidosh Juventusin nuk është asnjëherë e lehtë, veçanërisht nëse është në shtëpinë bardhezi, qofshin sfiduesit sulmi më i mirë në Itali. Lautaro e ka provuar në lëkurën e vet se t’i shënosh “zonjës’ nuk është e lehtë, pasi edhe pse është ekipi që ka sfiduar më shumë në karrierë(16 herë), është ai kundër të cilit ka shënuar më pak. Vetëm 3 herë, 2 prej të cilave ishin penallti dhe në 2 nga 3 raste nuk arriti ta shmangte humbjen.

TURAM – Testi është ndoshta ndër më të vështirët, për më tepër nëse përballja me Juventusin është diçka e re për ish-lojtarin e Borusia Mënshengladbahut, edhe pse ai e njeh mirë qytetin ku ka jetuar si fëmijë në kohën kur babai i tij Lilian luajti për Juventusin. Gjithsesi Markus ka treguar se në sfidat e mëdha nuk zhgënjen. Ai mund të ketë shënuar më pak se shoku i tij i repartit (5 gola kundër 14), por viktimat e tij kanë qenë emra si Milani në derbin e tij të parë, Roma dhe Benfika

Një detaj tjetër që vërteton ndikimin e tij, është fakti që nga 5 golat e tij, 4 kanë vlejtur zhbllokimin e rezultatit, golin e 1-0. Dhe, për ta përfunduar, kur francezi ka vendosur firmën e tij në ndeshje, fitorja ka qenë e garantuar për zikaltrit. Tashmë Juventusi është paralajmëruar dhe mbi të gjithë mbrojtësit e tij.


Shtuar 24.11.2023 21:49