Mirlind Daku u përball me një situatë të rëndë vetëm pak ditë pasi vendosi ta vijonte karrierën te Spartak Moska.
Të lidhura
None found
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ndoqi nga stadiumi ndeshjen e Kupës së Rusisë ndërmjet klubit të tij të ri dhe Orenburgut, ndërsa ngjarjet në tribuna tërhoqën vëmendje po aq sa ato në fushë.
Një pjesë e madhe e mbështetësve të Spartak Moskës shpalosën pankarta dhe lëshuan brohoritje me përmbajtje politike e fyese kundër Kosovës dhe shqiptarëve.
Në pamjet e publikuara nga mediumi rus Bombardir dëgjohen qartë thirrjet “Kosova – Serbia”. Në tribunë u shfaq gjithashtu një flamur gjigant ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Sipas raportimit të mediumit rus Inkazan, gjatë takimit pati edhe brohoritje me frazën “Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”, krahas thirrjeve fyese ndaj shqiptarëve.
Spartaku vlerësohet si një prej klubeve më të mëdha ruse dhe Daku pritet të sigurojë një kontratë shumë të majme financiarisht. Megjithatë, episodi i parë që e përfshiu në mjedisin e ri riktheu vëmendjen te qëndrimi që një pjesë e tifozëve të klubit mban ndaj Kosovës.
