Tifozët e Interit në protestë, tallje gjatë miqësores me 10 euro në dorë duke kujtuar Conten

Ndeshja e sotme miqësore ndaj Parmës ka shkuar mirë për Interin, me fitoren 2-0 e lojën ofensive që la të kënaqur trajnerin Inzagi. Por situata jashtë fushës është ndryshe, pasi tifozët nuk kanë pëlqyer lëvizjet e fundit të klubit i cili ka larguar emra si Hakimi e Lukaku.

Mbështetësit zikaltër nuk kanë kursyer duartrokitjet për ekipin në fushë, por nuk kanë munguar parullat kundër drejtuesve e sidomos ironinë ndaj atyre kinezë, të cilët po kursejnë në këtë periudhë.

Kështu, gjatë ndeshjes është zhvilluar një protestë e veçantë ku një grup tifozësh kanë nxjerrë nga xhepi kartëmonedha prej 10 eurosh duke i valëvitur lart, të shoqëruar me thirrjet “E blejmë ne”.

Ky episod ishte në kujtim të trajnerit Antonio Konte, i cili bëri batutën e famshëm kur ishte pjesë e Juventusit. “Nuk mund të ushqehesh me 10 euro në një restorant prej 100 eurosh”, ishin fjalët e Kontes asokohe drejtuar Anjelit, i cili nuk po hapte portofolin për t’i sjellë yje në skuadër. Një situatë që tashmë tifozët zikaltër e shohin si të ngjashme e që çoi edhe në largimin e trajnerit ndaj e kanë kujtuar në ndeshjen e sotme.


Shtuar 8.08.2021 23:17