Slvinjo me “dhimbje koke” para Çekisë, dy mesfushorë shfaqin probleme

Kombëtarja shqiptare e futbollit është kthyer përsëri në fushën stërvitore për të përgatitur ndeshjen e të enjtes ndaj Çekisë në ”Air Albania”. Sfida është shumë delikate dhe e rëndësishme, pasi mund të afrojë edhe më shumë kuqezinjtë me Euro 2024.

Por trajneri Silvinjo do të ketë shumë punë për të bërë pasi edhe stërvitja e sotme ka qenë me numra të reduktuar. Kjo pasi nga lista fillestare mungon Ismajli i cili është tërhequr nga ky grumbullim për shkak dëmtimi. Ndërkaq, Mirlind Daku dhe Myrto Uzuni nuk kanë mbërritur ende në grumbullim dhe kanë munguar në stërvitjen e sotme për shkak të orareve të udhëtimit .

Një mungesë është edhe ajo e Klaus Gjasulës, i cili po kalon një infeksion në bajame dhe kjo është arsyeja pse nuk i është bashkuar ende në grumbullim përfaqësueses. Mesfushori shihet si një element i rëndësishëm nga Silvinjo, pasi trajneri ka shpjeguar vazhdimisht se është një lojtar i cili i siguron prani fizike dhe në ndeshjen ndaj Çekisë, mungesa e tij do të ishte një goditje tjetër e rëndë për planet e kuqezinjve.

Në dyshim është edhe Keidi Bare, i cili ka bërë stërvitje i diferencuar, duke punuar me përgatitësin atletik, pasi vuan ende pasojat e një dëmtimi që ka marrë me Espanjolin në kampionat. Edhe ai është në dyshim nëse do të jetë i gatshëm për takimin e të enjtes.

 


Shtuar 9.10.2023 17:42