Sot Florian Wirtz vlerësohet si një nga lojtarët më premtues të gjeneratës së tij, por shumë përpara se të spikaste në elitën e futbollit evropian, ai ishte vetëm një 12-vjeçar që ushqente ambicie të mëdha.
Të lidhura
None found
Një letër e shkruar prej tij më 28 maj 2015 po qarkullon sërish me shpejtësi në rrjetet sociale, pasi tregon mënyrën se si ai e përfytyronte të ardhmen që në një moshë kaq të vogël. Ky dokument është ruajtur, është vendosur në kornizë dhe aktualisht ekspozohet në Muzeun Gjerman të Futbollit në Dortmund.
Në atë letër, Wirtz rrëfen përditshmërinë e tij si nxënës i klasës së gjashtë në shkollën “Abtei” në Brauweiler.
Në atë periudhë, lojtari gjerman shprehej i lumtur sepse në sezonin pasardhës do të aktivizohej me një skuadër të një grupmoshe më të madhe, diçka që ai e konsideronte një hap me peshë në rrugëtimin e tij.
Në përmbajtjen e letrës ai flet edhe për dëshirat personale. Wirtz shkruante se shpresonte të ndërtonte një familje të bukur me bashkëshorten dhe dy fëmijë, ndërsa objektivi i tij kryesor ishte të përfundonte shkollën e më pas të bëhej futbollist profesionist.
Një nga detajet që tërheq më shumë vëmendje është edhe emri i idhullit të tij. Kur ishte 12 vjeç, Florian Wirtz ëndërronte të luante në të njëjtin nivel me Neymar Jr., futbollistin që e frymëzonte më së shumti në atë kohë.
Letra e plotë e Wirtz:
“Përshëndetje! Sot është 28 maj 2015. Jam 12 vjeç dhe ndjek klasën e 6D në shkollën Abtei në Brauëeiler. Kam shokë shumë të mirë, si në shkollë ashtu edhe në futboll, dhe kaloj shumë kohë me ta”.
“Lënda ime e preferuar është Edukata Fizike. Nga lëndët kryesore, ajo që më pëlqen më shumë është anglishtja. Si hobi, luaj futboll, siç e përmenda më parë. Ndonjëherë ngas edhe biçikletën ose patina”.
“Për momentin, futbolli po më sjell shumë kënaqësi, sepse sezonin e ardhshëm do të luaj me një ekip të një grupmoshe më të madhe se e imja”.
“Ajo që më mërzit tani është se shokët e shkollës nuk janë më aq të sjellshëm sa kanë qenë më parë, por jam i sigurt se kjo do të ndryshojë së shpejti. Besoj se në të ardhmen do të kem një grua të mrekullueshme dhe dy fëmijë”.
“Sa u përket synimeve të mia, fillimisht dua të përfundoj shkollën e mesme. Më pas, shpresoj të bëhem futbollist profesionist dhe të luaj në të njëjtin nivel me idhullin tim më të madh: Neymar Jr”.//

