Sipas informacioneve që po qarkullojnë online, të shoqëruara edhe me përkthime nga mediat arabe në vendin ku ndodhi ngjarja, ekziston dyshimi se Algjeria dhe Austria kishin rënë dakord në heshtje që ndeshja mes tyre të mbyllej në barazim, rezultat që do ta linte jashtë kombëtaren e Iranit.
Në fund, gjithçka duket se u komplikua. Në minutën e 93-të, ylli i Algjerisë, Riyad Mahrez, realizoi golin për 3-2.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas këtij momenti, futbollistët austriakë reaguan me zemërim të madh. Ata u drejtuan me vrap nga stoli i Algjerisë, duke protestuar me gjeste të forta për atë që pretendohej si “thyerje e marrëveshjes”.
Në videon që grumbulloi miliona shikime vetëm brenda pak orësh, shfaqet rrëmuja pranë vijës anësore. Pamjet tregojnë qartë lojtarin me numrin 8 të Algjerisë, Aouar, si edhe anëtarë të stafit teknik, teksa mundohen të qetësojnë austriakët e irrituar.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, në ato çaste Aouar po u sinjalizonte lojtarëve të Austrisë të linin topin dhe po u thoshte: “Kini durim, ka ende kohë të mjaftueshme për të barazuar”.
Më tej, videoja tregon një futbollist austriak që i afrohet algjerianit dhe, sipas dyshimeve, i jep udhëzime për mënyrën se si të vendoset në mbrojtje, me qëllim që Austria ta kishte më të lehtë të depërtonte drejt portës.
Në këtë situatë u përfshi edhe gjyqtari i katërt, bashkë me stafin teknik, të cilët, sipas dëshmitarëve, tentuan të ndanin lojtarët në mënyrë që ky komplot i pretenduar të mos bëhej tepër i dukshëm për kamerat.
Pak çaste pas këtyre skenave dhe bisedave pranë vijës anësore, pikërisht në momentin kur u ekzekutua goditja e parë nga qendra, Austria shënoi golin e 3:3, që mbeti edhe rezultati përfundimtar i takimit.
Kjo histori sjell menjëherë ndër mend ndeshjen famëkeqe të Kupës së Botës 1982, të njohur si “Turp në Gijon”, kur Gjermania Perëndimore dhe Austria luajtën 1:0 për të eliminuar, në mënyrë ironike, pikërisht Algjerinë.
Dyzet e katër vjet më pas, duket se rrethanat janë përmbysur dhe këtë herë viktima është Irani.
FIFA ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar për këto pamje, ndërsa presioni nga opinioni publik dhe delegacioni sportiv i Iranit po vjen në rritje.
