Sunderland ka hedhur poshtë ofertën e parë të Chelseat për Granit Xhakën, duke i bërë të ditur klubit londinez se mesfushori zviceran nuk është në shitje, pavarësisht shumës së ofruar.
Interesi i Chelseat ka ardhur me kërkesë të trajnerit të ri, Xabi Alonso, me të cilin Xhaka ka punuar më parë te Bayer Leverkusen. Të shtunën, skuadra londineze paraqiti një ofertë prej rreth 9 milionë eurosh për lojtarin 33-vjeçar.
Të lidhura
None found
Ndonëse te Chelsea besohet se propozimi ishte i arsyeshëm, zyrtarët e Sunderlandit e kanë konsideruar atë të papranueshëm, madje e kanë parë edhe si mungesë respekti ndaj klubit dhe vetë futbollistit.
Verën e kaluar, Xhaka kaloi te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni për një marrëveshje që arrinte deri në 20 milionë euro, bashkë me bonuset, ndërsa menjëherë pas transferimit mori edhe shiritin e kapitenit.
Gjatë sezonit të fundit, mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane luajti një rol kyç, duke ndihmuar Sunderlandin të mbyllë kampionatin në vendin e shtatë në Premier League dhe të sigurojë kualifikimin në garat evropiane për herë të parë pas 53 vitesh.
Në mënyrë ironike, ky kualifikim u konfirmua në javën e fundit të sezonit pikërisht falë një fitoreje ndaj Chelseat, rezultat që e la klubin londinez në vendin e dhjetë dhe jashtë Evropës.
Xhaka është i lidhur me Sunderlandin me kontratë deri në qershor të vitit 2028, ndërsa klubi ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë synim për të miratuar largimin e tij.
Madje, drejtuesit e Sunderlandit i kanë përcjellë Chelseat se nuk do të marrin në shqyrtim asnjë ofertë tjetër dhe se presin që marrëveshja e lojtarit të respektohet.
Një tjetër arsye pse Sunderland nuk dëshiron të heqë dorë nga një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës lidhet edhe me eksperiencën e Xhakës në futbollin anglez, pas shtatë sezoneve të kaluara te Arsenali.
