Shkodran Mustafi parashikon fituesin e Kampionatit Europian dhe paralajmëron rikthimin në futboll

Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në Brazil në vitin 2014, Shkodran Mustafi, është përgatitur për një rol të ri në karrierën e tij, këtë herë jashtë fushës së lojës. 10 vjet pas fitores historike, mbrojtësi do të merret me raportimin e Kampionatit Evropian 2024 në Gjermani si analist.

Në një intervistë të fundit për mediumin “Web.de”, 31-vjeçari Mustafi ndau pritshmëritë e tij nga ekipi kombëtar gjerman dhe reflektoi mbi sfidat e reja që e presin.

Pas një karriere të pasur në ligat kryesore të Evropës – duke përfshirë përvojën në Gjermani, Angli, Itali dhe Spanjë – njohuritë e Mustafit do të jenë të vlefshme për një transmetues që do të mbuloi të gjitha 51 ndeshjet e turneut. Ai do të jetë pjesë e një skuadre ekspertësh së bashku me legjendën Michael Ballack.

Mustafi, i cili pranoi se nuk e kishte pritur ta fillonte rolin si analist në moshën 31-vjeçare, u shpreh se lëndimet e kanë larguar nga loja më herët sesa kishte shpresuar. Megjithatë, ai shprehet se ndjen kënaqësi në përcjelljen e njohurive dhe përvojave të tij në futboll për të tjerët. Ai gjithashtu shfaq shumë entuziazëm për bashkëpunimin e tij me Ballackun dhe pjesën tjetër të skuadrës së analistëve.

Mustafi theksoi avantazhin e të qenit ende i afërt me ndjenjat e një lojtari profesionist dhe është i gatshëm për të ndarë perspektivën e tij të pasur në ndeshjet e Evropianit. Ai shpreh gjithashtu shpresën për një performancë të suksesshme të ekipit gjerman në turneun e ardhshëm.

“Po, është ndihmesë. Mendoj se ende mund ta kuptoj çka ndodh në fushë apo në dhomat e zhveshjes. I njoh mendimet dhe ndjenjat e futbollistit profesionist nga perspektiva ime. Po pres sidomos për atmosferën në Evropianin në vendin tim dhe po shpresoj për paraqitje shumë të suksesshme nga ekipi i Gjermanisë”, ka shtuar Mustafi.

Pas disa fitoresh bindëse kundër Francës dhe Holandës, tifozët gjermanë tani shpresojnë për një titull në Evropianin e ardhshëm. Mustafi beson se ekipi ka potencialet për të konkurruar për titullin, duke i vënë theksin trajnerit Julian Nagelsmann, i cili është përzgjedhur për të udhëhequr ekipin.

Mustafi vlerësoi zgjedhjet e Nagelsmannit për ndeshjet e fundit dhe është i befasuar pozitivisht nga ftesa e lojtarëve të rinj përpara turneut. Ish-mbrojtësi vëren se kthimi i Toni Kroosit te Gjermania ka sjellë një atmosferë të veçantë të entuziazmit te vendi organizator i Euro 2024.

“Tani kemi Julian Nagelsmannin, trajnerin që më bind. Mendoj se ai mund ta udhëheqë ekipin si duhet. Atij i duhet kohë që të përshtatet në pozitën e re. Ka dallim të madh në mes të udhëheqjes së një ekipi dhe përfaqësueses. Si trajner nacional ju nuk i keni djemtë afër çdo ditë dhe nuk keni shumë kohë për t’iu dhënë këshilla taktike dhe ide se si të luajnë. Ndaj Francës dhe Gjermanisë kam parë Gjermaninë në nivelin më të lartë taktik dhe të futbollit në përgjithësi”, thotë Mustafi.

Mustafi, i cili gjithashtu foli për talentin e dy portierëve kryesorë gjermanë – Manuel Neuer dhe Marc-Andre ter Stegen – vlerësoi se dyshja janë në një nivel të lartë, por parashikon që Neuer prapë do të jetë zgjedhja e parë nëse ai qëndron i shëndoshë.

Sidoqoftë, Mustafi nuk ka ndër mend të qëndrojë shumë larg fushës së lojës. Ai ka luajtur për Levanten në maj të vitit të kaluar, dhe pavarësisht sfidave, ai beson se ka ende energjinë dhe motivimin për të vazhduar karrierën e tij si lojtar. Ai gjithashtu ka ndër mend të marrë një licencë trajneri në të ardhmen, tregon për ndjeshmërinë e tij të rritur për të kuptuar lojën nga një kënd i ri.

“Këtë muaj i mbush 32-vjet, por mendoj se jam ende i ri mjaftueshëm dhe ende kam energji dhe motivim për të sulmuar në fushë. Kjo është dëshira ime më e madhe. E di që situata ime nuk është e lehtë. Kur jeni jashtë për kohë të gjatë ju duhet të gjeni mënyrën për t’u kthyer. Por i besoj vetes për këtë. Shumë gjëra që jam mësuar t’i shoh vetëm nga perspektiva e lojtarit tani i shoh nga kënde të ndryshme. Kjo më ndihmon që të kuptoj shumë gjëra më mirë. Interesimi për të parë gjërat nga perspektiva e trajnerit është po ashtu shumë i madh. Për këtë jam i sigurt se do të pajisem me licencë të trajnerit në një pikë në të ardhmen”, shtoi më tej Mustafi.

Pas eksperiencave të tij të shumta me klube të mëdha si Schalke, Arsenal, Valencia dhe Sampdoria, Mustafi shikon përpara një kthimi në fushën e blertë, teksa vazhdon të zhvillojë njohuritë dhe perspektivën e tij të futbollit. /Telegrafi/


Shtuar 16.04.2024 20:27