Sheikët hapin thesin, shënjestrojnë Theo Hernandez e Paul Pogba

PSG është i vetmi klub që nuk po vuan krizën ekonomike të kushtëzuar nga pandemia e Covid-19 dhe me heqjen e Fair Play-t financiar sheikët e klubit francez nuk kanë hapur portofolin, por thesin nëse shikon përforcimet që janë bërë.

Pas Wijnaldum, Hakimit, Sergio Ramosit e Donnarumma-s, nënkampionët e Francës janë hedhur në sulm edhe për dy emra të tjerë që kanë shkëlqyer me klubet e tyre në sezonin që u mbyll. Ata janë Theo Hernandez i Milanit dhe Paul Pogba i Manchester United.

Hernandez nuk dëshiron të lërë Milanin, ku vetëm pak muaj më parë rinovoi kontratën duke e zgjatur deri në vitin 2025, por transferimi në Paris do t’i jepte mundësinë për të kërcyer te kombëtarja dhe fituar një ftesë nga Didier Deschamps.

Paul Pogba nga ana tjetër nuk ka rinovuar me Manchester United dhe i skadon kontrata verën e ardhshme. Largimi i tij është pothuajse i sigurt sidomos pas deklaratave të menaxherit Mino Raiola dhe vetë lojtari ka bërë të ditur se nuk do të qëndrojë përtej kontratës aktuale në “Old Trafford”.

Këto kohë është folur shumë për Juventusin që ëndërron ta risjellë në Torino, por sipas burimeve spanjolle, PSG e ka seriozisht dhe përveç aspektit ekonomik mund të favorizohet edhe nga fakti se me transferimin aty Pogba ka mundësinë që të luajë në qytetin e tij të lindjes, Parisin.


Shtuar 16.07.2021 23:17