Një marrëveshje prej 9 milionë eurosh mes Ipswich Town dhe Wrexham për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Anis Mehmeti, ishte arritur gjatë merkatos së verës, por vetë lojtari vendosi ta bllokonte transferimin. Kështu ka rrëfyer gazetari Anton Cicani, i cili hodhi dritë mbi atë që ndodhi prapa kuintave të këtij operacioni.
Të lidhura
None found
I ftuar në një emision sportiv, Cicani shpjegoi se klubi i Championship kishte rënë dakord me Ipswich për shifrën e kartonit, por Mehmeti nuk pranoi të rikthehej në kategorinë e dytë të futbollit anglez. Sipas gazetarit, dëshira e madhe e lojtarit mbetet të provojë veten në Premier League, një objektiv që ai nuk ishte i gatshëm ta sakrifikonte me një kalim në një divizion më të ulët.
Ky qëndrim i sulmuesit duket se ka ndikuar edhe në marrëdhënien me drejtuesit e Ipswich-it. Cicani shtoi se bordi i klubit e ka vënë në dijeni trajnerin se nuk janë të interesuar ta shohin Mehmetin të aktivizohet në elitë. Megjithatë, tekniku i ekipit nuk ka shfaqur asnjë rezervë ndaj tij, madje e hodhi në fushë në një ndeshje miqësore kundër Arsenalit, ku shqiptari la shenjë duke shënuar menjëherë pas inkuadrimit.
Pavarësisht përfoljeve të shumta për një largim të mundshëm gjatë verës, Mehmeti vijoi të jetë pjesë e Ipswich Town. Megjithatë, realiteti i pesë javëve të para të kampionatit tregon se ai ende nuk e ka realizuar ëndrrën për të luajtur në Premier League. “Kjo është situata në të cilën ndodhet Anis Mehmeti. Nuk mund ta parashikoj se çfarë do të sjellë afati i janarit,” përfundoi Cicani.
