Rama sinjalizon rrezik për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, fajëson Qeverinë për moszbatimin e detyrimeve

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, ka ngritur alarmin se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” mund të dështojë, duke i vënë përgjegjësinë Qeverisë së Kosovës për detyrimet e papërmbushura.

Të lidhura

None found

Duke folur në një takim me gazetarët, Rama zbuloi se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i ka dërguar më 15 dhjetor një korrespondencë zyrtare, ku paralajmërohen vonesat dhe shkeljet e angazhimeve që rrezikojnë mbajtjen e lojërave në kryeqytet.

“Kemi ardhur para jush për të njoftuar publikun për një gjendje shumë të rëndë që ka të bëjë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, kjo letër nuk është e para e këtij lloji, por vazhdim i një serie njoftimesh që kanë mbërritë që nga disa muaj.

“Nuk po flasim për njoftimin e parë, bëhet fjalë për një seri paralajmërimesh që kanë filluar kohë më parë, të cilat, për fat të keq, nuk kanë gjetur asnjëherë trajtim të duhur nga Qeveria”, theksoi kryetari i kryeqytetit.

Rama theksoi gjithashtu se Komiteti ka vërtetuar se një komunikim i datës 21 shtator nuk ka marrë kurrëfarë përgjigje, ndërsa siguria bankare e kërkuar që në fillim të vitit nuk është depozituar fare.

“Komiteti vëren se korrespondenca e 21 shtatorit mbeti pa përgjigje. Garancia bankare, e cila është kërkuar që nga muaji janar, nuk është dorëzuar, ndërsa pagesat financiare që duhej të realizoheshin në qershor nuk janë kryer”, përfundoi Rama.

Derisa materiali u publikua, nga Qeveria e Kosovës nuk ka ardhur asnjë deklaratë lidhur me pretendimet e kryetarit të Prishtinës. /Telegrafi/