Ilir Panda, ka marrë zyrtarisht drejtimin e Gjykatës së Lartë nga Sokol Sadushi. Dorëzimi i detyrës u zhvillua këtë të premte në Tiranë, gjatë një ceremonie në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, ku ishin të pranishëm gjyqtarët e kësaj gjykate, këshilltarët ligjorë dhe punonjësit e administratës së institucionit.
Me këtë kalim të drejtimit përmbyllet mandati gjashtëvjeçar i Sadushit si kryetar. Sipas institucionit, gjatë kësaj periudhe, ndër sfidat kryesore ishin pakësimi i dosjeve të prapambetura, ngritja e cilësisë së vendimeve dhe forcimi i transparencës ndaj publikut.
Të lidhura
None found
Kryetari i ri, Ilir Panda, e përshkroi detyrën që mori si një përgjegjësi të madhe përballë Kushtetutës dhe qytetarëve. Duke vlerësuar përpjekjet për ringritjen e institucionit, ai theksoi nevojën për standarde të larta të vendimmarrjes dhe për administrim efikas të proceseve gjyqësore, si kushte për besimin e publikut te drejtësia.
Sipas Pandës, ky besim krijohet nga vendime cilësore, arsyetim gjyqësor i qartë dhe i qëndrueshëm, procese të administruara me efikasitet dhe përgjegjësi institucionale.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Sadushi shprehu mirënjohjen për bashkëpunëtorët dhe angazhimin e tyre ndër vite. Ai riktheu në vëmendje vështirësitë e nisjes, kur Gjykata e Lartë funksiononte me vetëm një gjyqtar, ndërsa mijëra dosje prisnin shqyrtimin.
Sadushi njoftoi se kontributin në këtë institucion do ta vazhdojë si gjyqtar. Ai theksoi se, megjithëse detyra e kryetarit përfundonte atë ditë, përgjegjësia e tij si gjyqtar mbetej dhe se do të punonte përkrah kolegëve me të njëjtin përkushtim ndaj gjykatës dhe qytetarëve që presin drejtësi.
Nën drejtimin e Ilir Pandës, Gjykata e Lartë, vazhdon shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe punën për t’u garantuar qytetarëve drejtësi të paanshme e të besueshme.





