Prezantohet Longo te Kukësi: Të jemi kompetitivë, nuk mund të pretendojmë titullin

Kukësi do të ketë Diego Longon në stol për sezonin e ri. Trajneri Italian vjen në eksperiencën e parë në krye të një skuadre pas disa vitesh eksperiencë si asistent dhe ku së fundmi ishte asistenti i Mircea Lucescut te Dynamo Kiev.

45-vjeçari u prezantua sot si trajner i ri i verilindorëve në prani të Pero Pejiç teksa zbuloi edhe objektivat dhe çfarë pret ai për sezonin në Kategorinë Superiore.

“Dua të falënderoj stafin dhe klubin për besimin. Kam kuptuar që është një klub që do rezultate pozitive dhe jemi këtu për të arritur këto rezultate. E rëndësishme është që të përgatitemi të gjithë të bashkuar. Në këto moment e rëndësishme është të jemi të bashkuar. Kampionatin shqiptar e kam njohur edhe më para. Kontakti i parë me drejtuesit ka nisur që para 3 javesh. Sezonin e shkuar ekipet ishin më mirë se ne dhe nuk mund të flas shumë për të tjerët. Duhet të shikojmë skuadrën tonë dhe të përgatitemi veçanërisht nga në mentalitet”.

I pyetur nëse ka patur kontakte me Rejan dhe për merkaton e skuadrës, Longo i ka idetë e qarta teksa zbulon edhe objektivat.

“Edy Rejan e kam njohur më parë, do e kontaktoj së shpejti dhe do takohemi. Për mua është e rëndësishme të jap më të mirën dhe të përmirësohemi. Kam pasur biseda me të dhe është nga ata që të vjen në ndihmë. Unë kam shumë besim te futbollistët dhe te klubi, që i ka afruar. Nuk i kam stërvitur ende dhe e di që ka lojtarë të rinj dhe me eksperiencë. Qëllimet e klubit janë të qartë: të jemi kompetitivë. Nuk mund të them tani që do të fitojmë kampionatin. Nuk e bën as Teuta, as Vllaznia e as Partizani. Ne do të bëjmë më të mirën tone dhe sa i takon merkatos, do të flas me klubin për çfarë lojtarësh duhet të vijnë këtu”, u shpreh trajneri Italian gjatë prezantimit në krye të Kukësit.


Shtuar 16.07.2021 17:20

Tags: ,