Pesë faktorët e rekordit të Italisë

Kishin kaluar vetëm gjashtë muaj, nga 13 nëntori i vitit 2017 deri më 14 maj të vitit 2018. Ishte gjysmë viti që shënoi hendekun midis një prej dështimeve më zhgënjyese të Italisë dhe ardhjes së një figure me ndikim dhe frymëzuese që do të ndryshonte plotësisht stilin e lojës. Në atë ditë fatale, në nëntor, Italisë iu dha një goditje masive kur u eliminua në plejofin për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” nga Suedia.

Si pasojë e kësaj, kampionia e katërfishtë e botës (1934, 1938, 1982 dhe 2006) nuk garoi në skenën më të madhe të futbollit për herë të parë që nga viti 1958. Në maj të vitit pasardhës, Italia emëroi Roberto Mancinin në postin e selektorit. Në moshën 53-vjeçare, me një përvojë të madhe evropiane dhe me të arritura të konsiderueshme, Mancini mori vendimin për të marrë frenat e një ekipi që kishte shumë nevojë për drejtim, shpresë dhe ambicie të re. Dhe kjo është pikërisht ajo që ai u ka dhënë italianëve.

Kampionët në fuqi të Evropës tani kanë kaluar 36 ndeshje të jashtëzakonshme pa pësuar humbje (27 fitore, nëntë barazime), duke tejkaluar seritë prej 35 ndeshjesh pa humbje të vendosura nga dy ekipe historikisht të rëndësishme: Brazili (i pamposhtur midis vitit 1993 dhe 1996), i cili u bë kampion i botës në vitin 1994 dhe Spanja (e pamposhtur midis vitit 2007 dhe 2009), një skuadër që përfundoi me dy trofe të Kampionatit Evropian dhe një kupë të Botës.

Deri më sot Mancini e ka udhëhequr Italinë në 41 ndeshje, me dy humbjet e vetme që kanë ardhur në pesë ndeshjet e tij të para, në një miqësore me Francën në qershor të vitit 2018 dhe në një lojë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, kundër Portugalisë më vonë të njëjtin vit. Askush në atë fazë nuk mund ta kishte parashikuar këtë seri të 36 ndeshjeve pa humbje, e cila është ndërtuar mbi disa baza kryesore.

Sulmi dhe mbrojtja

Italia ka pasur gjithmonë një reputacion për lojën mbrojtëse të tipit “Catenaccio”, por Mancini kishte plane të tjera. Që nga momenti kur mori rolin e ri, Mancini kaloi ekipin në një formacion 4-3-3 dhe që atëherë nuk është lëkundur. Suksesi i kësaj filozofie mbështetet nga statistikat: në 41 ndeshjet e tij, Italia ka shënuar 93 gola që është një mesatare prej mbi dy golave për ndeshje.

Për më tepër pas disa rregullimeve në transicionin e saj mbrojtës, Italia befasoi shumë njohës në “Euro 2020” me mënyrën efektive me të cilën shtypi dhe nënshtroi kundërshtarët e saj. Mancini shtoi intensitetin sulmues dhe mbajti mbrojtjen tradicionale të ekipit, që është akoma po aq mbresëlënëse siç u demonstrua kur kaloi 1.168 minuta pa pranuar gol, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Dino Zoff prej 1.143 minutash.

Një ekip me talente

Sa i përket Mancinit, aftësia tejkalon gjithçka tjetër dhe çdo lojtar italian që demonstron nivele të mjaftueshme shpërblehet me një thirrje në përfaqësuese. Ai ka përfshirë rreth 80 lojtarë në të gjitha ekipet e tij dhe një përqindje shumë e lartë e tyre ka pasur minutazhë të caktuar të lojës. Tekniku 56-vjeçar ka dërguar një mesazh të qartë për të gjithë futbollistët italianë me aspirata për ekipin përfaqësues: nëse ata meritojnë një thirrje, ata do të kenë një mundësi. Me ekipin që i mungojnë emrat e profilit të lartë në krahasim me vendet e tjera, italianët janë të vetëdijshëm se një vend në ekip gjithmonë mund të fitohet dhe se forca e tyre kolektive është arma më e madhe.

Ndjenja familjare

Një nga detyrat më të vështira me të cilën u përball Mancini, kur mori drejtimin e Italisë, ishte të gjente një mënyrë për të motivuar dhe frymëzuar një grup lojtarësh që ende ishin të lodhur nga tronditja e dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin e Rusisë. Pjesa e parë e planit të tij ishte t’i bënte ata të kuptonin se ndjenjat e tyre të zhgënjimit të thellë mund të shndërroheshin në një ambicie të zjarrtë për të luajtur në turnetë e mëvonshëm. Ai ftoi një numër të lojtarëve të rinj, premtues, të cilët sollën freski, vetëbesim dhe dëshirë shtesë që Italisë së 2018-s dukej se i mungonte. Tani Italia është bërë e suksesshme, sepse lojtarët besojnë në planin e Mancinit dhe sepse në çdo kamp stërvitor ata tregojnë se të gjithë mbështesin njëri-tjetrin.

Siç tha Giorgio Chiellini për mediat në prag të fillimit të Kampionatit Evropian: “Ne kurrë nuk do ta harrojmë humbjen nga Suedia, por në tre vjetët e fundit kemi arritur ta kthejmë atë zhgënjim në entuziazëm”.

Ndryshimi i mentalitetit

Për të ngritur shpirtrat pas eliminimit famëkeq nga Suedia në vitin 2018, Mancini përshtati një qasje entuziaste. Lojtarët e tij e morën menjëherë këtë dhe u joshën nga nocioni i lojës në një mënyrë argëtuese dhe pothuajse të paturpshme. Stili i guximshëm dhe tërheqës i futbollit i futur nga ish-sulmuesi i Sampdorias, krijoi entuziazëm në mesin e lojtarëve më të vjetër, ndërsa njëkohësisht u përshtatej edhe të rinjve në ardhje. Ishte momenti perfekt për ta provuar këtë qasje, e cila pati sukses në Evropian.

“Në çdo ekip që kam stërvitur më parë gjithmonë jam përpjekur të sjell një qasje më sulmuese”, tha Mancini. “Ndonjëherë keni sukses në këtë, ndonjëherë jo. Por në këtë rast ishte koha e duhur për t’u dhënë tifozëve tanë një ekip tërheqës për të parë dhe shijuar”.

Dhe ai ka qenë i mirë në fjalën e tij. Në vetëm tre vjet e gjysmë, Mancini ka ndryshuar në mënyrë gjithëpërfshirëse pamjen dhe mentalitetin e skuadrës italiane.

Suksesi i prekshëm

Italia e Mancinit nuk ka vendosur vetëm standarde të reja statistikore. Vetëm dy muaj më parë, italianët u bënë kampionë të Evropës për herë të dytë në historinë e vendit, pasi mposhtën Anglinë në finalen e luajtur në stadiumin “Wembley” në Londër. Për më tepër, Italia prin në Grupin C të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, dhe nëse vazhdon të shkëlqejë dhe të vulosë kualifikimin, atëherë ka të ngjarë të futet në turne si një nga favoritet për trofeun.

Mancini, lojtarët e tij dhe publiku italian janë plotësisht të vetëdijshëm se Kampionati Botëror i ardhshëm mund të shohë akoma më shumë histori duke u shkruar. /FIFA.com/


Shtuar 7.09.2021 10:47

Tags: ,