Partizani dorëzohet në Zvicër, Baseli e mposht me 3 gola (VIDEO)

Dihej që në fillim që do të ishte një mision i pamundur për Partizanin. Të kuqtë e Ilir Dajës u përballën me një ekip shumë të forte si Baseli që luan sistematikisht në grupet e Champions League dhe ka buxhet shumë here më të madh se klubi shqiptar por gjithsesi paraqitja e Partizanit ishte pozitive.

Minutat e para të ndeshjes ishin të qeta dhe Partizani u mbrojt mirë madje edhe doli përpara teksa me kalimin e minutave, të shtyrë edhe nga tifozët Xhaka me shokë arrijnë të gjejnë golin në minutën e 43’ me Stocker me kokë.

Sapo nis fraksioni i dytë, Baseli gjen edhe golin e sigurisë në 52’ me një rofeshatë të Cabral që u jep qetësi ekipit zviceran që në fakt lë edhe disa hapësira pas ku Partizani mund të përfitonte.

Stenio Junior dhe Cardoso kanë dy mundësi të arta për të shkurtuar diferencën por nuk ia dalin ndërsa në 80’, sërish Stocker gjen rrugën e rrjetës për të vulosur rezultatin në 3-0.

Në 84’, Edon Zhegrova gjen edhe traversën por sulmuesi Kosovar është i pafat përpara tifozëve të skuadrës.

Gjithsesi sfida mbyllet me një fitore logjike të Baselit që ishin favorit dhe pritej të merrnin një sukses të tillë ndërsa për Partizanin mbetet të provojë diçka më shumë pas një jave në ndeshjen e kthimit.


Shtuar 22.07.2021 22:28