Opsioni i parë i Man United nuk është Pochettino

Drejtuesit e Manchester United kanë biseduar me trajnerin e Ajax-it, Eric Ten Hague për ardhjen e tij në klubin anglez gjatë verës, raporton sot BBC.

“Djajtë e Kuq” janë drejtuar nga eksperti gjerman Ralph Rangnik që prej muajit nëntor, por ai është vetëm një zgjidhje e përkohshme deri në korrik.

Klubi anglez thekson se është herët të flitet për favoritët për të marrë postin e trajnerit, ndonëse duan që i gjithë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të një menaxheri të përfundojë sa më shpejt.

Ten Hague ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2023 dhe në vitin 2019 me klubin holandez ka arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Sipas mediave, në listën e ngushtë është edhe trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, por rezultatet më të dobëta së fundmi duket se i kanë ulur shanset për të marrë drejtimin e klubit.

Si zgjedhje të mundshme për trajnerin e ri të United përmenden trajneri aktual i Sevillas, Julen Lopetegui, si dhe ai i Spanjës, Luis Enrique.

Klubi nga Mançesteri, pas 29 ndeshjeve në Premierligë, është vetëm i gjashti me 50 pikë, kështu që deri në fund të kampionatit do të ketë vetëm një synim sigurimin e Champions League për sezonin e ardhshëm. /albeu.com/

 


Shtuar 23.03.2022 17:00