Nga Pedri te Camavinga, 10 talentet që pritet të shpërthejnë në Champions

Faza e grupeve të Ligës së Kampionëve nis të martën, me katër skuadra nga Premier League që paraqiten në garën e këtij sezoni.

Kampioni në fuqi, Chelsea, do ta nisë mbrojtjen e titullit kundër Zenitit, ndërsa finalisti i edicionit të shkuar, Manchester City do të përballet me Leipzig.

Manchester United dhe Liverpooli do të luajnë kundër Yong Boys, respektivisht Milanit, në një garë që këtë sezon premton rivalitet të madh.

Më poshtë janë dhjetë futbollistët e rinj që pritet të marrim vëmendjen këtë sezon në Champions.

Ansu Fati (Barcelona)

18-vjeçari ka debutuar me Barcelonën para dy vjetësh dhe që nga ajo kohë është dëshmuar si një sensacion i madh, pavarësisht që sezonin e shkuar përjetoi një lëndim të rëndë të gjurit. Fati ka shënuar 13 gola në 41 paraqitje me ekipin e parë te Barcelona, si dhe ka realizuar një gol për Spanjën, në moshën 17-vjeçare, në katër ndeshje të zhvilluara deri më tani.

Megjithatë, zhvillimi i tij i hovshëm për ekipin dhe përfaqësuesen u ndal paksa në nëntor të vitit të shkuar kur e dëmtoi gjurin dhe iu nënshtrua operimit. Mirëpo Fati tashmë është rikuperuar dhe është në dispozicion të trajnerit Ronald Koeman për këtë edicion. Ndeshja e parë e grupit në Champions kundër Bayernit mund të ketë ardhur herët për Fatin, por sulmuesi i ri pritet të jetë i pandalshëm në këtë garë.

Ryan Gravenberch (Ajax)

Mesfushori i talentuar u shpall talenti i vitit në Holandë për sezonin e kaluar, duke shkuar hapave të Matthijs de Ligtit e Frenkie de Jongut, lojtarë që e fituan këtë çmim para tij.

Gravenberch është aktualisht njëri prej talenteve më të mëdha tek Ajaxi dhe tashmë i ka edhe nëntë ndeshje me Përfaqësuesen e Holandës, pavarësisht se është vetëm 19 vjeç. Lojtari me prejardhje nga Surinamet ka shënuar dhjetë gola në 65 ndeshje për Ajaxin dhe ka fituar katër trofe, përfshirë dy tituj kampioni të Holandës. Kështu që nuk do të jetë aspak e habitshme nëse Gravenberch bën paraqitje të mira këtë edicion në Champions dhe vitin e ardhshëm siguron një transferim të majmë në një skuadër tjetër të madhe të Evropës.

Jamas Musiala (Bayern)

Reece James, Mason Mount e Tammy Abraham janë në mesin e lojtarëve të suksesshëm të sistemit të të rinjve te Chelsea vitet e fundit, por Jamal Musiala që ka qenë pjesë e akademisë së klubit londinez, gjithmonë ka qenë i destinuar për t’u bërë një yll i vërtetë. Me vetëm 18 vjet, Musiala tashmë ka shënuar 11 gola për ekipin e parë të Bayernit, përfshirë katër në gjashtë paraqitje këtë edicion. Ai tashmë është edhe reprezentues i Gjermanisë. Musiala po shihet si njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Bayernit këtë sezon. Ai pritet që në Champions të jetë arma kryesore e bavarezëve që synojnë trofeun nën urdhrat e trajnerit Julian Nagelsmann.

Eduardo Camavinga (Real Madrid)

I lindur në një kamp refugjatësh në Angola nga prindërit kongolezë, Camavinga u vendos në Francë në moshën gjashtëvjeçare, shtet ku edhe u zhvillua si futbollist. Arritjet sportive të Camavingas tashmë kanë lënë nën hije shumicën e futbollistëve më të vjetër. Mesfushori është bërë lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë për Rennesin dhe Francën, që nga viti 1914. Camavinga iu bashkua Realit në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës dhe shënoi gol pas vetëm gjashtë minutave në debutimin e tij kundër Celta Vigos, ndeshje në të cilën u inkuadrua nga banka e rezervistëve. 18-vjeçari përfundimisht pritet të jetë titullar në ekipin e Carlo Ancelottit këtë sezon dhe në klubin madrilen tashmë e ka fituar statusin e yllit të ardhshëm.

Brian Brobbey (Leipzig)

Sulmuesi shënoi 25 gola në 35 paraqitje ndërkombëtare për të rinjtë e Holandës dhe shënoi gjashtë gola për Ajaxin sezonin e kaluar, para se kalimi si lojtar i lirë te Leipzigu të konfirmohej. Sulmuesi i lindur në Amsterdam u pa si një shpresë e madhe në Holandë dhe kalimi i tij në Bundesligë u vlerësua domethënës. 19-vjeçari ka gjasa të arrijë formën e tij më të mirë këtë edicion, duke pasur parasysh se Leipzigu ka ndërtuar një reputacion për zhvillimin e talenteve.

Nuno Mendes (PSG)

Reprezentuesi portugez iu bashkua Paris Saint-Germainit në huazim për një sezon nga Sportingu i Lisbonës këtë verë me një mundësi të blerjes verën e ardhshme për 40 milionë euro. Mbrojtësi adoleshent luajti rol vendimtar në suksesin e Sportingut, që sezonin e shkuar e fitoi titullin e kampionit për herë të parë pas 19 vjetësh. Duke shijuar një sezon përparimi, Mendes ka regjistruar edhe tetë paraqitje për Portugalinë dhe tani është një nga adoleshentët më të vlerësuar në Evropë.

Pedri (Barcelona)

Maestro adoleshent i mesfushës bëri 73 paraqitje marramendëse për klubin dhe vendin sezonin e kaluar, duke përfshirë Kampionatin Evropian dhe Lojërat Olimpike të Tokios me Spanjën. Pedri iu bashkua Barcelonës nga Las Palmasi verën e kaluar, por tashmë është një anëtar kyç i skuadrës së trajnerit Ronald Koeman dhe është lojtari i ri i jashtëzakonshëm në Spanjë. Përsosmëria e tij ishte e dukshme në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian kundër Italisë, kur ai nuk gaboi një pasim gjatë 90 minutave lojë. Mes gjithë kaosit aktual në Barcelonë, Pedri është shpresa e shquar e re.

Youssoufa Moukoko (Borussia Dortmund)

Sulmuesi 16-vjeçar i lindur në Kamerun është një perspektivë e jashtëzakonshme që tashmë ka shënuar tre gola në 20 paraqitje për Borussia Dortmundin. Ai është gjithashtu një lojtar i rregullt në ekipin gjerman nën 21 vjet dhe është në një nivel mbi moshatarët e tij. Përparimi i tij i hershëm në karrierë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe duket se do të fitojë më shumë minuta në Champions League këtë sezon.

Yeremi Pino (Villarreal)

Anësori adoleshent Pino u bë lojtari më i ri spanjoll që ka filluar ndonjëherë në një finale evropiane, kur u përfshi në formacionin e Villarrealit në finalen e Ligës së Kampionëve, që u zhvillua në muajin maj të këtij viti. 18-vjeçari shënoi shtatë gola për “Nëndetësen e Verdhë” sezonin e kaluar dhe tani është anëtar i rregullt i skuadrës së trajnerit Unai Emery dhe do të luajë një rol kyç këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Sikurse Pedri edhe Pino është nga Las Palmasi dhe duket i vendosur për një të ardhme të madhe në skenën e futbollit evropian.

Dejan Kulusevski (Juventus)

I lindur në Suedi nga prindër maqedonas, Dejan Kulusevski bëri përshtypje për përfaqësuesen suedeze në “Euro 2020” pasi u vendos si titullar i rregullt i Juventusit. Në moshën 21-vjeçare, Kulusevski filloi karrierën e tij në Itali me Atalantan dhe kishte huazime të mëvonshme te Parma para kalimit te Juventusi. Krahas Federico Chiesas ai shpreson të bëhet ylli sulmues afatgjatë i Juves dhe do të jetë shpresë e madhe e ekipit italian në Evropë këtë vit. /Daily Mirror/


Shtuar 13.09.2021 22:14