Lionel Messi po përjeton një nga edicionet më mbresëlënëse të Kupës së Botës në historinë e tij, duke ecur me vendosmëri drejt trofeut të “Këpucës së Artë”.
Në Rosario, qyteti ku lindi ylli argjentinas, qytetarët kanë zgjedhur ta nderojnë sërish me një gjest të veçantë, duke i dhënë një pamje krejtësisht të freskët muralit kolosal kushtuar figurës së tij legjendare.
Të lidhura
None found
E shtrirë mbi një hapësirë prej 534 metrash katrorë, vepra tani përmban elemente të reja simbolike: tre yjet e triumfeve botërore të Argjentinës dhe një dedikim prekës që lexon “Faleminderit, Leo”.
Marlene Zuriaga, një prej udhëheqëseve të projektit, zbuloi se procesi i restaurimit kërkoi përafërsisht 300 litra bojë. Kujtojmë se murali origjinal daton në vitin 2021.
“Ne e kemi emërtuar ‘Nga një galaktikë tjetër’, por e vërteta është se ai mbetet një njeri i zakonshëm, si secili prej nesh. Një djalë që i sfidoi vështirësitë që fëmijë, u rrit në një familje të thjeshtë punëtore dhe arriti të pushtojë majën më të lartë të futbollit botëror”, u shpreh Zuriaga.
Nderimet në Rosario nuk u mbyllën me kaq. Një helikopter, i cili tërhiqte pas një fanellë stërmadhe të përfaqësueses argjentinase, përshkoi qiellin mbi qytet, duke fluturuar mbi pikat ikonike të Rosarios dhe mbi banesën ku Messi kaloi vitet e para të jetës.
Ylli i futbollit jetoi në këtë qytet deri në moshën 13-vjeçare, përpara se të nisej drejt Spanjës për t’u bërë pjesë e akademisë së famshme të Barcelonës.
Pavarësisht kësaj, ai kurrë nuk e ka mohuar lidhjen e thellë emocionale me vendlindjen e tij.
“Nëse dikush më pyet se ku dëshiroj të jem, unë do ta kem gjithmonë të njëjtën përgjigje: në Rosario”, ka shkruar Messi në një rubrikë personale kushtuar qytetit të tij të lindjes, botuar në vitin 2018.
