Momentalisht pa punë, Conte: S’mendoj vetëm për paratë

Përvoja e Antonio Contes tek Interi zgjati dy sezone. Tekniku nga Puglia shkoi deri në finalen e Europa League-s dhe mbi të gjitha i riktheu zikaltrit tek titulli kampion pas 11 vitesh. Aventura përfundoi dhe u duk diçka e papritur, sidomos pas një sezoni mjaft të suksesshëm, nuk pati debate, përkundrazi, divorci u nënshkrua me marrëveshje. Trajneri, afërsisht dy javë pas largimit, flet për arsyet që e dërguan tek ky vendim, duke i kthyer një përgjigje dhe presidentit Zhang, i cili deklaroi se klubi dhe trajneri kishin mendime të ndryshme.

“Projekti im me Interin nuk ka ndryshuar asnjëherë që nga dita e parë, por tashmë është e kotë t’i rikthehemi çështjes. E falënderoj presidentin Zhang dhe i uroj shumë fat Simone Inzaghit, i cili është një trajner i aftë dhe ambicioz”.

Më pas, ish-tekniku, edhe i Juves e Chelsea-t, reagoi edhe ndaj disa kritikave në lidhje me kërkesat e tij të larta financiare.

“Ata që flasin, harrojnë që unë i mundësoj klubit të fitojë më tepër para sesa më paguan, dhe shifrat e pagave i përcakton merkatoja. Nëse do të mendoja vetëm për paratë, do të qëndroja aty ku isha, duke pranuar edhe kompromise në lidhje me projektin, por e vërteta është që jam gati të qëndroj në shtëpi nëse nuk klubi nuk më bind”.

Në fund, 51-vjeçari nuk e kurseu edhe një përgjigje në lidhje me fjalët e ish-presidentit Moratti, që e akuzoi Conten si një njeri që nuk e ndjen fanellën zikaltër, edhe pse më pas ish-numri 1 i Interit kërkoi ndjesë për deklaratën e tij.

“U befasova dhe u trishtova kur lexova fjalët e tij, por bisedova me të dhe ma shpjegoi se çfarë mendon realisht. Ata që më njohin e dinë se sa i lidhur jam me ngjyrat e klubit ku punoj.”

 


Shtuar 10.06.2021 13:43