“Më thanë që ishte një penallti për ne”, Shkëmbi pas barazimit: “Djeg” kur të ikën fitorja në minutat e fundit

Dinamos është befasuar nga Laçi në minutat e fundit të takimit, kur fitorja i iku nga duart. Diçka e tillë “djeg” në pankinën e bluve dhe Bledi Shkëmbi e pranon këtë fakt. Timonieri i nëndetëses kryeqytetase ka folur pas ndeshjes për mikrofonin e “Supersport” dhe duket i bindur se ekipi i tij do të zhvillojë një kampionat me nota pozitive. Ndërkohë Shkëmbi zgjedh të shmangë komentet mbi vendimet e VAR-it, por nga ana tjetër shton se i është mohuar një penallti.

“Hymë në lojë me shumë vonesë dhe vuajtëm shumë në 20 minutat e para, por u përmirësuam me kalimin e minutave. Dominuam lojën në shumë momente më pas, por futbolli është i tillë, që rastet e krijuara duhet t’i bësh gol. Nuk kam dëshirë të komentoj vendimet e arbitrave pas ndeshjes, megjithatë më kanë thënë që ishte një penallti për ne. Nuk do të hyj në polemika gjithsesi.

Unë jam i bindur që do të bëjmë një kampionat shumë të mirë, pasi klubi është organizuar mirë dhe ka sjellë lojtarë shumë cilësorë. Kjo ma shton ndjeshëm besimin se do të përfaqësohemi në mënyrë dinjitoze. Një barazim ndaj Laçit nuk është fundi i botës, por kur të ikën fitorja në minutat e fundit, “djeg” më shumë. Megjithatë nuk jam i mërzitur, thjesht pak i lodhur”, u shpreh Bledi Shkëmbi.


Shtuar 17.09.2021 22:55