Një luan që dyshohet se endet i lirë në një zonë të pyllëzuar në veri të Stambollit ka vënë në lëvizje autoritetet përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Galatasarayt dhe Aston Villas. Kafsha është parë rreth 16 kilometra nga stadiumi ku dy ekipet pritet të luajnë sonte (e martë).
Sipas raportimeve lokale, sinjalizimi i parë erdhi rreth orës 21:00 të së dielës. Oficerët e një stacioni policie në lagjen Zekeriyakoy, në veri të pjesës evropiane të Stambollit, dalluan në pamjet e kamerave CCTV një kafshë që ngjante me luan. Ai u pa për herë të parë në lagjen Sariyer, ku ndodhet edhe stadiumi ‘RAMS Park’ i Galatasarayt.
Të lidhura
None found
Të hënën, policia turke dhe shërbimet për kafshët e egra nisën kërkimet. Në operacion u përfshinë rreth 70 persona, mes tyre oficerë policie dhe ndihmës të emergjencës, si edhe shtatë dronë.
Autoritetet vendosën masa të forta sigurie përreth pyllit ku besohet se ndodhet luani dhe vilave pranë tij. Lëvizjet në zonë po mbahen nën vëzhgim, ndërsa banorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes. “Vendndodhja e luanit është përcaktuar dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për ta kapur atë të gjallë”, njoftoi Zyra e Guvernatorit të Stambollit.
Ngjarja solli edhe reagime të pazakonta. Një televizion turk ftoi në studio, për të folur për arratisjen e kafshës, një burrë të veshur me kostum luani dhe me fanellën e Galatasarayt. Klubi turk njihet me nofkën ‘Luanët’, ndërsa figura e një luani gjendet edhe në stemën e Aston Villas.
Për këtë situatë u pyet edhe mbrojtësi i Galatasarayt, Abdulkerim Bardakci. “Dua të them diçka, meqenëse i gjithë vendi po flet për këtë tani. I vetmi luan që mbaj në shtëpi është djali im”, u përgjigj ai.
Ndërkohë, ndryshimi i planit stërvitor të Aston Villas nuk lidhej me kërkimet për luanin, ndonëse më herët kishte pasur spekulime se klubi e kishte anuluar për këtë arsye seancën në Stamboll. Skuadra angleze u stërvit në qendrën e saj Bodymoor Heath, në vend të ‘RAMS Park’, për shkak të gjendjes së fushës.






