Pas suksesit 1-0 ndaj Irlandës, sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, analizoi paraqitjen e “Dardanëve” dhe foli për ndeshjen e ardhshme kundër Austrisë në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së.
Të lidhura
None found
Sipas Krasniqit, Kosova hasi vështirësi për të gjetur rrugën drejt rrjetës gjatë pjesës së parë, pasi Irlanda u pozicionua kryesisht në mbrojtje. Megjithatë, ai vlerësoi se ekipi krijoi mundësi të mjaftueshme dhe e meritoi triumfin.
Ai shpjegoi se kundërshtari ishte tërhequr prapa dhe se loja e Kosovës u orientua shpesh te pasimet e gjata, çka e bëri të vështirë shënimin. Pavarësisht kësaj, “Dardanët” zhvilluan një paraqitje pozitive, krijuan raste dhe, sipas tij, goli ishte vetëm çështje kohe. Në fund, Kosova e gjeti golin dhe mori fitoren e merituar.
Futbollisti kosovar nënvizoi gjithashtu rëndësinë e lojtarëve që aktivizohen gjatë ndeshjes. Ai tha se çdo futbollist në stol duhet të jetë i përgatitur për të ndihmuar skuadrën, pasi zëvendësimet mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës.
Krasniqi u shpreh i kënaqur që pati rol në aksionin e golit, duke theksuar se objektivi kryesor ishte marrja e tri pikëve.
Për sfidën e radhës, ai e cilësoi Austrinë si favorite të grupit, por beson se Kosova ka mundësi të marrë rezultat pozitiv edhe në atë transfertë.
“Dardanët”, sipas Krasniqit, duhet të paraqiten si një grup i bashkuar dhe të luajnë me të njëjtin përkushtim si ndaj Irlandës. Nëse e bëjnë këtë, ai nuk e përjashton mundësinë që Kosova të fitojë edhe në Austri.
