Kepi i Gjelbër vazhdon të jetë një nga rrëfimet më mbresëlënëse të Kupës së Botës 2026. Kombëtarja afrikane ka shkruar histori pas barazimeve me Spanjën dhe Uruguain, duke u kthyer në një prej befasisë më të mëdha të këtij turneu.
Edhe më i jashtëzakonshëm bëhet ky rrugëtim po të merret parasysh se vlera e përgjithshme e skuadrës është më e ulët se ajo e çdo ekipi që mori pjesë në sezonin 2025/26 të La Ligës.
Të lidhura
None found
Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka një vlerë tregu prej vetëm 54.5 milionë eurosh, një shumë e vogël në krahasim me kundërshtarët me të cilët po përballet në Kupën e Botës që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në prag të turneut, afrikanët konsideroheshin mes përfaqësueseve me më pak shanse, por ajo që kanë treguar në fushë ka përmbysur çdo parashikim. Tashmë, një rezultat pozitiv përballë Arabisë Saudite mund t’u sigurojë një kualifikim historik në fazën eliminatore.
Ndërkohë, pas përditësimit të fundit të vlerave të tregut në përfundim të sezonit, Real Oviedo figuron si skuadra me vlerën më të ulët në La Liga, me 55.8 milionë euro.
Megjithatë, edhe Real Oviedo ka një vlerë më të lartë se përfaqësuesja e Kepit të Gjelbër, me një diferencë prej pak më shumë se një milion euro.
Bëhet fjalë për një të dhënë të pazakontë për një ekip kombëtar që ia doli të mos pësonte gol ndaj Spanjës, kampiones aktuale të Evropës.
Sa i përket futbollistëve të kësaj kombëtareje, vetëm dy prej tyre kanë vlerë tregu mbi 10 milionë euro. Njëri është Logan Costa, mbrojtësi i qendrës te Villarreal, i cili vlerësohet me 15 milionë euro.
Tjetri është Wagner Pina, mbrojtësi i djathtë i Trabzonsporit, me një vlerë prej 11 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, lojtari me vlerën më të ulët në ekip është portieri veteran Vozinha. Gardiani 40-vjeçar, një prej protagonistëve të barazimit ndaj Spanjës, vlerësohet me vetëm 50 mijë euro, një shifër shumë e ulët për standardet e futbollit modern.
Sidoqoftë, paraqitjet në Kupën e Botës po tregojnë qartë se çmimi në treg nuk është gjithmonë pasqyra e asaj që ndodh në fushë.
