Italia futet në finale të “Euro 2020” me avantazh historik ndaj Anglisë

“Panenka” e Pirlos. Rrëmbimi i “Këpucës së Artë” nga Schillaci. Një tjetër festë emocionuese nga Marco Tardelli.

Rivaliteti i turneve të mëdhenj – nëse mund të quhet kështu – midis Italisë dhe Anglisë është shënuar nga disa momente të spikatura. Dhe të gjitha u përkasin italianëve. Prej katër përballjeve, qoftë në Kampionatin Botëror apo Evropian, Italia i ka fituar tri gjatë kohës së rregullt dhe një pas gjuajtjes së penalltive, për të avancuar tutje. Anglia mund të ketë përparësinë se e luan në shtëpi finalen e “Euro 2020” që zhvillohet të dielën mbrëma në stadiumin “ Wembley”, por historikisht Italia e ka avantazhin.

“Ne e dimë madhësinë e këtij dueli”, tha përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate. “Është testi më i madh i mundshëm që mund ta kemi”.

Ky nuk është rivalitet klasik ndërkombëtar. Në të vërtetë këto dy ekipe janë takuar vetëm një herë në një ndeshje të fazës së nokautit në një turne të madh dhe kjo ishte në “Euro 2012”, kur Italia fitoi 4:2 pas penalltive në Kiev – pas barazimit 0:0 – dhe e eliminoi Anglinë në 1/8 e finales. Ky eliminim i Anglisë më së miri mbahet në mend për penalltinë e gjuajtur në stilin “Panenka” nga mesfushori elegant Andrea Pirlo. Në fakt Anglia ishte me fat që arriti deri në 1/8 e finales, pasi në ndeshjet e fazës së grupeve nuk tregoi paraqitje të mira.

Ndeshja e parë midis Anglisë dhe Italisë në një turne të madh erdhi në “Euro 1980”, kur Tardelli e mposhti portierin Peter Shilton nga afërsia për t’ua dhënë fitoren italianëve me rezultatin 1:0, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve. Tardelli është i njohur më së shumti për festën e tij ulëritëse, duke tundur grushtet, pasi shënoi golin e dytë të Italisë në një fitore 3:1 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finalen e Botërorit të vitit 1982. Reagimi i tij pas golit të fitores ndaj Anglisë ishte gjithashtu emocionues ndërsa ai rrotullohej në tokë dhe mbante kokën me duar.

Në vitin 1990 ekipet u takuan në një ndeshje për vendin e tretë në Botërorin e mbajtur në Itali. Në të vërtetë kjo është konsideruar si një ndeshje që asnjëra prej ekipeve nuk dëshironte ta luante pas humbjeve që i përjetuan në finale. Mirëpo ky duel i obligueshëm të paktën ia dha mundësinë sulmuesit të Italisë, Salvatore Schillaci, të bëhej golashënuesi më i mirë i turneut.

Schillaci shënoi nga penalltia në minutën e 86-të për t’ia siguruar fitoren Italisë me rezultatin 2:1, dhe për ta mbyllur turneun me gjashtë gola, një më shumë se sulmuesi i Çekosllovakisë, Tomas Skuhravy.

Takimi i vetëm tjetër ishte në fazën e grupeve të Botërorit të vitit 2014 dhe italianët përsëri fituan, me golin e shënuar me kokë në pjesën e dytë nga Mario Balotelli që ia siguroi Italisë fitoren me rezultatin 2:1 në Manaus, pyjet e Amazonës në Brazil.

Që nga ajo kohë ka pasur dy barazime me rezultatin identik 1:1 në ndeshjet miqësore, asnjëra prej të cilave nuk u luajt para se Roberto Mancini të bëhej trajner i Italisë në maj të vitit 2018.

Bilanci i përgjithshëm qëndron në 11 fitore për Italinë dhe tetë fitore për Anglinë në një total prej 27 përballjesh. E pamposhtur në tetë takimet e para, Anglia ka arritur vetëm një fitore në shtatë duelet e fundit. Nën drejtimin e Mancinit, Italia është në një seri prej 33 ndeshjeve pa humbje – një rekord italian.

“Italia ka qenë një top-ekip në dy vjetët e fundit”, tha Southgate. “Ne kemi ndjekur nga afër progresin e saj. Ne e dimë mënyrën se si italianët luajnë – me energji të madhe, me stil të shkëlqyeshëm. Ata janë gjithmonë të vështirë për t’i mposhtur”.

Ndikimi i Italisë në futbollin anglez ka qenë i madh gjatë dekadës së kaluar, me tre trajnerë – Mancinin (Manchester City, 2012), Claudio Ranierin (Leicester, 2016) dhe Antonio Conten (Chelsea, 2017) – që kanë fituar tituj kampioni në Premier League.

Mancini i dha fund pritjes 44-vjeçare të Cityt për një titull kampioni të nivelit të lartë, por u shkarkua nga puna një vit më vonë, vetëm tri ditë pas humbjes së papritur në finalen e Kupës FA nga Wigani.

Kjo humbje erdhi në “Wembley”, stadiumi ku Mancini do të kthehet të dielën në një përpjekje për të udhëhequr Italinë drejt titullit të dytë të Evropës.

“Unë mendoj se duelet mes Italisë dhe Anglisë gjithmonë janë të shkëlqyeshme”, tha mesfushori i Italisë, Marco Verratti, i cili debutoi në arenën ndërkombëtare në humbjen 2:1 ndaj Anglisë në miqësoren e luajtur në gusht të vitit 2012 në Zvicër. “Janë dy ekipe të shkëlqyera, të cilat plotësisht e kanë merituar të luajnë në finale. Anglia pati paraqitje të mira në turne. Në fakt, të dy ekipet kishim paraqitje të mira në Evropian, por këtë herë mund të ketë vetëm një fitues dhe shpresoj të jemi ne”.


Shtuar 8.07.2021 23:58