Ander Herrera, ish-mesfushori spanjoll që ishte shok skuadre me Lionel Messin te Paris Saint-Germain, ka rrëfyer me admirim të madh atë që argjentinasi shfaqte gjatë seancave stërvitore.
Të lidhura
None found
Edhe pse aventura e Messit në Paris u shoqërua shpesh me zhgënjimin e mungesës së suksesit në Ligën e Kampionëve, cilësitë e tij të jashtëzakonshme vazhdonin t’i linin pa fjalë bashkëlojtarët.
“Është diçka që nuk do ta shohim më. Sa herë e humbi topin në stërvitje? Zero. Ishte çmenduri. Leo, çdo ditë!”, deklaroi Herrera.
Spanjolli theksoi se për të luajtur me futbollistë të tillë duhet të kuptosh mënyrën se si t’u krijosh hapësirën e duhur. “Yjet janë yje. Mendoj se kisha empatinë e nevojshme për të luajtur me ta. Duhet të dish si t’u japësh hapësirë, sepse nëse bëj punën time, ata do të më bëjnë më të mirë. Messi dhe Neymar duan që t’u japësh atyre topin dhe të jesh aty në rast se kanë nevojë ta kthejnë”, tha ai.
Herrera u ndal edhe te vështirësitë që sjell drejtimi i një ekipi me shumë emra të mëdhenj, duke vlerësuar ndikimin e Luis Enriques në suksesin e Paris Saint-Germain.
“Është e vështirë, por jo e pamundur. Ancelotti e bëri këtë te Real Madridi me Cristianon, me Balen, me Benzeman, me Sergio Ramosin… Dhe shikoni çfarë arriti Enrique me Paris Saint-Germain”, përfundoi spanjolli.







