Egnatia është nisur drejt Dublinit, ku do të zhvillojë përballjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Europa League kundër Shamrock Rovers. Takimi në “Tallaght Stadium” është programuar të fillojë në orën 21:00.
Të lidhura
None found
Në listën e bërë publike mëngjesin e kësaj të hëne mungon Arbenit Xhemajli. Mbrojtësi nuk është përfshirë me kampionët e Shqipërisë për shkak të transferimit të tij në kampionatin malazez.
Klubi i ri i 28-vjeçarit nuk është zbuluar ende, megjithëse palët e kanë mbyllur marrëveshjen. Nga ky operacion, Egnatia do të arkëtojë 100 mijë euro.
Largimi i Xhemajlit krijon një boshllëk në prapavijë, ndaj drejtuesit rrogozhinas do të rikthehen në merkato për të gjetur zëvendësuesin e tij. Ai iu bashkua Egnatias me parametra zero, pas aventurës në Zvicër me FC Vaduz, ndërsa më herët kishte luajtur edhe për Sunderland në Premier League.


Gjatë periudhës me Egnatian, mbrojtësi shtatlartë fitoi tre tituj kampion radhazi dhe u shndërrua në pikën kryesore të repartit defensiv, si nën drejtimin e ish-trajnerit Edlir Tetova, ashtu edhe me Nevil Deden.
