Kalimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka ngjallur reagime të ashpra nga një pjesë e tifozerisë së klubit, ende pa u zyrtarizuar marrëveshja.
Të lidhura
None found
Grupi ultras “Crazy North” ka shprehur kundërshtimin ndaj afrimit të sulmuesit të Rubin Kazanit. Përmes një fotografie me pankartë dhe një deklarate të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, tifozët kanë përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Ne mbështesim popullin vëlla serb dhe qëndrimi ynë ndaj ustashëve, si dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar”, thuhet në mesazhin e grupit.
Pankarta e shfaqur prej tyre përmbante mbishkrimin: “Fundërrina shqiptare jashtë!”.
Megjithatë, mediat ruse raportojnë se Spartak Moska ka gjetur dakordësinë me Dakun për kushtet personale. Sipas këtyre raportimeve, transferimi i sulmuesit 28-vjeçar pritet të mbyllet në një kohë të afërt.
Pas një periudhe të suksesshme te Rubin Kazani, Daku pritet të largohet nga klubi. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai luajti 93 ndeshje dhe shënoi 38 gola, duke u renditur ndër sulmuesit më të spikatur të kampionatit rus./
