Dinamo Zagrebi po përballet me një konkurrencë të shtuar pas afrimeve të fundit, ndaj drejtuesit e klubit pritet të reduktojnë numrin e lojtarëve në dispozicion përpara mbylljes së afateve kalimtare në disa kampionate. Në listën e futbollistëve që mund të largohen ndodhet edhe reprezentuesi shqiptar, Arbër Hoxha.
Të lidhura
None found
Raportimet e mediave kroate bëjnë të ditur se numri i madh i lojtarëve në skuadër ka bërë që klubi të shqyrtojë disa largime nga Maksimiri në ditët e ardhshme.
Hoxha shihet si një prej kandidatëve për t’u larguar, kryesisht për shkak të rivalitetit të fortë për vendet në krahët e fushës.
Konkurrenca është bërë edhe më e madhe me praninë e Mislav Orsic, ndërsa Dinamo ka afruar gjithashtu Iker Almenas dhe Juan Nsoki. Në krahun e majtë mund të luajë edhe Luka Ivanusec, megjithëse ai iu bashkua klubit fillimisht për të mbuluar rolin e mesfushorit.
Përballë kësaj situate, reprezentuesi shqiptar mund ta ketë të vështirë të gjejë hapësira dhe të grumbullojë minuta të rëndësishme gjatë sezonit.
Sipas mediumit kroat, Dinamo mund të kërkojë një vlerë më të lartë për transferimin e Hoxhës, në krahasim me disa futbollistë të tjerë që janë pranë largimit.
Një faktor që mund të komplikojë transferimin e tij është mungesa e shtetësisë së një vendi të Bashkimit Evropian. Mediat kroate vlerësojnë se kjo mund të kufizojë numrin e klubeve që do të shfaqnin interes për të.
