Ministria e Brendshme e Argjentinës njoftoi javën e kaluar arrestimin e Pablo Alvarezit, i njohur me nofkën “Bebote”, i cili dyshohet se drejtonte një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Në kuadër të hetimeve, në qendër të vëmendjes është vënë edhe Sergio Kun Aguero, ish-futbollisti i Atletico Madridit, Manchester Cityt, Barcelonës dhe i kombëtares argjentinase.
Të lidhura
None found
Portali La Politica raportoi se emri i Agueros figuron mes pronarëve të disa kompanive që dyshohet se përdoreshin nga karteli për të legalizuar të ardhurat nga shitja e lëndëve narkotike.
Aguero kishte krijuar kompaninë Kru Tickets, e cila merrej me shitjen e biletave për evente esports. Nga të dhënat e nxjerra prej telefonave celularë të sekuestruar rezulton se ai kishte komunikuar me persona të lidhur me kartelin. Megjithatë, dyshohet se këta persona mund të jenë shtirur sikur ishin Aguero, ndaj nuk përjashtohet mundësia që ish-futbollisti të mos ketë qenë i vetëdijshëm për aktivitetet kriminale.
Aguero e mbylli karrierën futbollistike në vitin 2021. Gjatë periudhës së tij te Manchester City, ai fitoi pesë tituj të Ligës Premier. Me Argjentinën zhvilloi 101 ndeshje dhe shënoi 41 gola.
Pablo “Bebote” Alvarez, i arrestuari që përmendet në hetim, kishte qenë drejtues i tifozëve të klubit argjentinas Independiente, skuadër ku kishte luajtur edhe Aguero.
